11 Maj 2024

Qeveria po bën për eliminimin e shkaqeve të nivelit të ndotjes së ajrit

Prishtinë, 21 dhjetor - U.D Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, e ka informuar kabinetin qeveritar për shqetësimet e ngritura, në kohë të fundit, për nivelin e ndotjes së ambientit dhe të ajrit në Kosovë.

Ai ka njoftuar për mobilizimin e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor për të bashkërenduar hapat në eliminimin e shkaqeve të nivelit të ndotjes së ajrit, për çka tashmë janë identifikuar burimet e ndotjes dhe do të përgatitet edhe plani i veprimit për masat e evitimit të ndotjes.

Kryeministri Mustafa tha se deri të premten apo brenda javës Qeveria të ketë një plan, në të cilin pastaj do të konkretizohen masat.

“Unë kam biseduar me ushtruesin e detyrës të ministrit, z. Shala këtë çështje, kemi diskutuar edhe javën e kaluar.  Ekziston edhe preokupimi i Ministrisë së Mjedisit që të gjejmë zgjidhje dhe orientimet si bëhen këto zgjidhje.\"

\"Ne jemi në një situatë jo shumë të volitshme edhe në pikëpamje të burimeve të ngrohjes sidomos në këtë periudhë, meqenëse shumë prej banorëve e shfrytëzojnë thëngjillin dhe drurin për ngrohje. Është bërë një përmirësim tash i situatës në Prishtinë me shfrytëzimin e avullit në ngrohje të qytetit, kështu që në krahasim me  më parë e kemi një zbutje të ndotjes siç ka ndodhur më parë prej Termokosit.\"

\"Kemi edhe zbatim të filtrave në KEK, që prapë është një masë e cila e ka zbutuar atë, por ne gjithsesi do të bëjmë çdo gjë. Por duhet ta dimë se perspektiva e zhvillimit tonë edhe të energjisë prapë është te thëngjilli, kështu që nuk duhet të hapim shumë mundësi që t’ia mbyllim vetes dyert në pikëpamje të investimeve të mëtutjeshme edhe të kritikave tepër të mëdha. Duhet të bëjmë çdo gjë në marrjen e masave që këtë ambient që e kemi ta ruajmë dhe industrinë të cilën në të ardhmen do ta zhvillojmë të sigurojmë kushtet ambientale që ajo industri të funksionojë”, tha kryeministri Mustafa.

Zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi, propozoi që të bëhet një plan i veprimit i cili parasheh masat afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata, duke paraparë ato që ka mundësi ligjore për t’u zbatuar, përgjegjësit që duhet të jenë zbatues të këtyre masave, e nëse është nevoja edhe ndryshime ligjore dhe mbështetje buxhetore. “Ta kemi një plan të veprimit dhe besoj se në fillim të vitit tjetër do të kishim mundësi atë plan ta miratojmë në Qeveri e pastaj secili i di detyrat e veta”, tha zëvendëskryeministri Kuçi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)