Qeveria huazon nga KfW 23,5 milion euro për KOSTT-in

Prishtinë, 23 shtator - Ministri i Financave, Besim Beqaj, Presidenti i parë i KfW për Evropën Juglindore dhe Turqinë Christoph Tiskens, znj.Sirje Porder, përfaqësuese e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, Naim Bejtullahu, në ambientet e Ministrisë së Financave në Prishtinë, nënshkruan Marrëveshjen për Kredi përmes së cilës do të bëhet financimi i disa projekteve për zhvillimin e infrastrukturës së transmetimit të energjisë elektrike në Kosovë.
Kjo është kredia e dytë komerciale që Qeveria Gjermane përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) i akordon Republikës së Kosovës, me qëllim të financimit të gjashtë projekteve të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT sh.a).
Marrëveshja parasheh sigurimin e kredisë komerciale afatgjate nga KfW me kushte kredituese të buta në vlerë prej 23,5 milion nga e cila 15,5 milion me periudhë kthyese prej 15 viteve dhe 8 milion me periudhë kthyese prej 40 viteve, si dhe financimin shtesë në formë granti nga Komisioni Evropian në vlerë prej 7.3 milion përmes programit IPA.
Gatishmëria e KOSTT për të vazhduar me financimin e projekteve zhvillimore përmes kredive komerciale, dëshmon se KOSTT është në rrugë të mirë drejt vet qëndrueshmërisë së plotë financiare.
Me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për Kredi, Kryeshefi Ekzektuiv i KOSTT z.Naim Bejtullahu duke falënderuar Qeverinë Gjermane për kredinë e akorduar, si dhe Komisionin Evropian për grantin, theksoi KfW vazhdon të jetë partner strategjik i KOSTT në përkushtimin për të zhvilluar mëtutje Sistemin e Transmisionit të Kosovës.
Implementimi i projekteve në fjalë, që njëherit janë pjesë e Planit Zhvillimor të Transmisionit 2013-2022, do të kenë ndikim të theksuar në sigurinë, besueshmërinë dhe cilësinë e furnizimit me energji elektrike nga aspekti i transmisionit, rritjen e kapaciteteve transmetuese dhe transformuese të energjisë elektrike, plotësimin e kriterit N-1 dhe ngritjen e performancës operuese të Sistemit të Transmisionit të Republikës së Kosovës.
KOSTT sh.a është e përkushtuar që në mënyrë të vazhdueshme të zhvillojë dhe modernizojë Sistemit Transmetues të Republikës së Kosovës, gjë që paraqet parakusht për zhvillimin ekonomik dhe industrial të vendit.
Projektet e KOSTT sh.a që do të financohen përmes kredisë:
Instalimi i transformatorit të dytë 300MVA në NS 400kV Peja 3 dhe Ferizaj 2, Instalimi i OPGW në linjat interkonektive, Instalimi i grupeve matëse për linjat interkonektive, Ndërtimi i një linje të re 110kV NS Peja 3 NS Peja 1, Ndërrimi i stabilimenteve të tensionit të lartë nga AIS në GIS në NS 110/35kV në Peja 1 dhe instalimi i fushave të reja të transformatorëve të tensionit të mesëm dhe Revitalizimi i linjës 126/2 110kV NS Peja 2 NS Deçan