Plani Kombëtar për Energji dhe Klimë do të jetë në frymën e Marrëveshjes së Gjelbër
Prishtinë, 18 nëntor - Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të projektit "Promovimi i Efiçiencës së Energjisë dhe Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë në Kosovë” ka mbajtur sot tryezën “Marrëveshja e Gjelbër për Ballkanin dhe Plani Kombëtar për Energji dhe Klimë”, nën moderimin e Dardan Abazi, Hulumtues i Lartë dhe Drejtor i Programit në INDEP dhe me panelistët Luan Morina, Udhëheqës i Departamentit të Energjisë në MEA dhe Fisnik Osmanin, Këshilltar i Kryeministrit të Kosovës.
Për shkak të pandemisë COVID-19, tryeza është mbajtur pa praninë e audiencës dhe është transmetuar virtualisht në faqen e INDEP-it në Facebook.
.
Abazi e nisi tryezën me një përmbledhje të zhvillimeve që kanë ndodhur kohëve të fundit, përkatësisht Marrëveshjen e Gjelbër për Ballkanin që u nënshkrua nga Kosova javën e kaluar në Samitin e Sofjes, zhvillim ky që sinjalizoi që Qeveria e Kosovës do të ndjekë një kurs të ri të politikave në sektorin e energjisë.
Gjithashtu, Abazi përkufizoi edhe faktin që Kosova gjendet në mes të procesit të draftimit të Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë dhe që gjendet edhe në një udhëkryq sa i përket vendimeve që Kosova duhet t’i marrë për të përqafuar burimet e ripërtëritshme të energjisë me qëllim ruajtjen e ambientit dhe zvogëlimin e emetimeve për të ndalur ngrohjen globale dhe mbrojtur klimën.
Në fjalën hyrëse, Fisnik Osmani foli për fazën në të cilën ndodhet Kosova, nga këndi i Qeverisë.
Ai tha se Plani Kombëtar për Energji dhe Klimë do të jetë në frymën e Marrëveshjes së Gjelbër dhe se Qeveria do të angazhohet në nisma rajonale të ngjashme si ajo e Samitit të Sofjes.
Lidhur me Marrëveshjen e Gjelbër të nënshkruar në Sofje, ai tha se Kosova është zotuar që të shkojë tutje në implementin të kësaj marrëveshjeje dhe se Kosova është e interesuar të levizë në këtë drejtim, gjithmonë duke marrë parasysh potencialet dhe gjendjen aktuale me energji të Kosovës.
Ai përmendi edhe Marrëveshjen e Washingtonit, përmes së cilës Kosova merr përgjegjësi edhe rreth gazit.
Ndërsa, duke konsideruar se Kosova po drafton Planin Kombëtar për Energji dhe Klimë, pas përfundimit të këtij plani, Kosova do ta ketë të qartë se nga do të levizë, përfundoi ai.
Nga ana e tij, Morina nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit përmendi se baza e zhvillimit ekonomik është energjia. Zhvillimi i këtij sektori ka ndjekur ato të Komunitetit të Energjisë, pjesë e së cilit është.
Tash Kosova është në fazën e dhjetë vjeçarit të dytë të energjisë dhe momentumi në të cilin Kosova ndodhet ofron mundësi për ridrejtim të Kosovës se cilën rrugë duhet të zgjedhë.
Pra, të trajtojë maksimalisht burimet hidrike, solare dhe ato të biomasës. Fokusi duhet të jetë në arritjen e caqeve për burimet solare dhe ato hidrike. Bazuar në rekomandimet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Kosova duhet të bëjë reforma në këtë sektor.
Ndërsa, sa i përket nënshkrimit të Samitit të Sofjes, ai tha se Kosova po punon gjithashtu në Strategjinë e Energjisë paralelisht me Planin Kombëtar për Energji dhe Klimë.
Të dy këto dokumente, me gjasë, do të përfshijnë caqe të reja, por se kjo mbetet të shihet dhe do të vendoset bazuar në rezultatet e studimeve që do të vijnë.
Targeti që për vitin 2050 mos të ketë asnjë emision është i vështirë për t’u arritur nga sektori i energjisë, por se synimi do të jetë që të punohet në dekarbonizim.
Në lidhje me çështjen e Termocentralit “Kosova e Re”, Osmani konfirmoi se Qeveria e Kosovës po e trajton këtë proces përmes mekanizmave ligjorë dhe se Contour Global është tërhequr nga ky projekt.
Ndërsa, në lidhje me pyetjen se kur do të mbërrijë në konsultim publik Strategjia e Re e Energjisë, Morina tha se pritet të dërgohet në Qeveri në kuartalin e dytë të vitit 2021, ndërsa në konsultim publik do të dërgohet dikur në mars-prill 2021, në mënyrë që dokumenti të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe që palët e interesuara të japin kontributin e tyre.
Në lidhje me BRE-të, fokusi do të jetë te energjia solare dhe ajo e erës dhe se në mes të vitit 2021, do të jetë e gatshme skema e ankandeve për BRE-të, tha z. Morina. Kjo skemë pritet të jetë mjaft e plotë dhe e implementueshme.
Pjesëmarrësit thanë që pasi të tejkalohet pandemia, liberalizimi i tregut do të trajtohet me prioritet, e po ashtu edhe krijimi i fondit të konsumatorëve në nevojë çka përfundimisht do të ulë rastet e konsumatorëve që kanë nevojë për asistencë në pagesën e faturave të tyre.
Për fund, Osmani u shpreh i gatshëm që në emër të Qeverisë të jetë pjesë aktive e zhvillimeve në energji dhe i ftoi të gjitha palët të bëhen pjesë e proceseve vendimmarrëse në energji.
Njejtë, edhe Morina bëri thirrje për bashkëpunim në vendimmarrje.
Ky aktivitet implementohet në kuadër të programit të INDEP-it për zhvillim të qëndrueshëm dhe në kuadër të projektit “Promovimi i Efiçiencës së Energjisë dhe Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë në Kosovë”, financuar nga GIZ Kosova, në emër të Qeverisë Gjermane dhe implementuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).