Përurohet stacioni për monitorimin e Ajrit
Prishtinë - Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Mjedisit, sot në oborrin e Ndërtesës së Re të Qeverisë (ish Pallati i Mediave), Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Yagcilar, përuroi Stacionin për Monitorimin e Ajrit dhe Projektin për Grumbullimin e Mbeturinave të Letrës dhe Plastikës.
Ministri Yagcilar tha se ky projekt është i rëndësishëm për faktin se qytetarët mund të shohin drejtpërsëdrejti shkallën e ndotjes në ambientin ku jetojnë dhe se në këtë mënyrë do të ngritet vetëdija e qytetarëve, por edhe e institucioneve përkatëse - qendrore dhe lokale, për rëndësinë e ruajtjes së ambientit dhe preventivave që duhen marrë në zvogëlimin e ndotjes.
Nga dita e sotme qytetarët do të kenë mundësi që në ekranin e Stacionit ti lexojnë të dhënat për shkallën e ndotjes së ajrit PM, 2.5 dhe PM.10., kushtet e motit, matjen e metaleve të rënda si dhe parametra të tjerë meteorologjik.
Stacioni është vendosur në një pikë të kryeqytetit e cila është mjaft e frekuentuar nga automjetet.
Për të shënuar Ditën Botërore të Mjedisit dhe përurimin e këtyre dy projekteve të përfunduara, të pranishëm ishin mysafir të shumtë nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare.
Manifestimin e shënimit të Ditës Botërore të Mjedisit, në Amfiteatrin e Ndërtesës së Re të Qeverisë, me një fjalë rasti e hapi ministri i Mjedisit, Mahir Yagcilar.
Në fjalën e tij, Ministri Yagcilar tha: Këtë ditë sot po e shënojmë edhe në institucionet e nivelit qendrorë por edhe ato të nivelit lokal. Madhështinë e shënimit të kësaj dite e rrisin edhe më shumë dy projektet që sot po i përurojmë. Qytetarët e kryeqendrës së Republikës së Kosovës dhe së shpejti edhe qytetarët e të gjitha qendrave të tjera, do të kenë mundësinë që në çdo çast përmes ekranit, ti shohin të dhënat për shkallën e ndotjes, të dhënat për motin, matjen e metaleve të rënda si dhe parametra të tjerë meteorologjik.
Po ashtu sot po fillon së implementuari edhe një projekt shumë i rëndësishëm - Riciklimi i Mbeturinave të Llërës dhe Plastikës, projekt ky i cili fillon në institucionet e vendit për tu zgjeruar shumë shpejt në mbarë vendin tonë, tha në fjalën e tij ministri Yagcilar.