14 Maj 2024

Mustafa: Thaçi për shtatë vjet qeveri, gjeneroi zero MW/h energji shtesë

Prishtinë, 20 maj  - Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, e ka quajtur tërësisht të dështuar politikën e Qeverisë Thaçi në fushën e energjisë, për të cilën tha se për shtatë vite nuk ka krijuar asnjë megavat të vetëm energji shtesë, i kanë ikur investitorët më seriozë nga Gjermania, ka shpenzuar qindra miliona euro për import të energjisë dhe e ka rrezikuar furnizimin e ekonomisë dhe amvisërive me energji.

“Në fushën e energjisë elektrike ne konsiderojmë që qeveria nuk ka bërë asgjë, nuk ka arritur që të bëjë asnjë investim në gjenerimin e energjisë elektrike gjatë kësaj periudhe kohore, sepse gjatë këtyre dy mandateve është folur tepër, por nuk është bërë asgjë. Kanë ikur investitorët më të rëndësishëm gjermanë, të cilët janë shumë konkurrues dhe të besueshëm. Tani ne përballemi me mungesa të mëdha të energjisë elektrike për furnizimin e familjeve dhe ekonomisë”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se puna e vetme për këto shtatë vite në fushën e energjisë që ka bërë Qeveria në largim, është ndërrimi i emrit nga “Kosova C”, në “Kosova e Re”.

Duke folur për planin e LDK-së në fushën e energjisë, kreu i LDK-së ka thënë se do të arrihet synimi për  ndërtimin e dy blloqeve të Kosovës së Re, me nga 300 MW/h, gjithsejtë 600 megavatë deri në vitin 2019, ndërsa në vitin 2017 do të mbyllet Termocentrali Kosova A, ashtu siç është paraparë në Traktatin e Athinës për Energji, nënshkruese e së cilës është edhe Kosova. 

“Do ta mbyllim Kosovën A në vitin 2017 sepse paraqet rrezik edhe për ambientin por edhe për faktin se nuk është efecientë për prodhimin e energjisë elektrike më tutje. Në të njëjtën kohë do të bëjmë edhe rekonstruimin e termocentralit Kosova B deri në vitin 2019 në mënyrë që edhe në pikëpamje ambientale, por edhe të energjisë elektrike, të përshtatet me kriteret e BE-së”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se deri në vitin 2023 do të punojmë edhe në ndërtimin e kapaciteteve edhe të një termocentrali në kapacitet 500-600 MGW me të cilin ne do ta rrumbullakojmë prodhimin e energjisë nga termocentralet.

“Programi qeverisës i LDK-së  parasheh që deri në vitin 2019 të bëhet ndërtimi i hidrocentralit në Zhur me një kapacitet 300-310 MGW të energjisë elektrike, përmes së cilit ne do të synojmë që të bëjmë një ekuivalencë të prodhimit të energjisë nga burimet e papërtëritshme dhe atyre të përtëritshme, në mënyrë që të plotësojmë kriteret që BE dhe vendet e tjera evropiane i kanë përcaktuar në aspektin e proporcioneve të prodhimit të energjisë elektrike”, ka thënë Mustafa.

Përpos prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e ujit Mustafa ka thënë se parashohim që të aktivizojmë edhe shfrytëzimin e burimeve tjera të përtritshme, siç është energjia diellore, energjia me erë etj, përmes së cilave ne planifikojmë që të siguromë prodhimin e energjisë elektrike që të arrijmë të shfrytëzojmë të gjitha këto resurse që i ka Kosova, e po ashtu edhe ta mbrojmë ambientin çka është shumë me rëndësi.

“Një fushë tjetër shumë e rëndësishme për ne është edhe ajo e ruajtjes së efiqiencës së energjisë elektrike që ne të aplikojmë standardet edhe gjatë ndërtimit të objekteve”, ka thënë Mustafa.

Plani i LDK-së për fushën e energjisë, parasheh arritjen e një marrëveshje bashkëpunimi në këmbimin e energjisë elektrike me Shqipërinë, për ta stabilizuar furnizimin me energji, sepse burimet energjetike në Shqipëri janë të bazuara në ujë, ndërsa ato në Kosovë bazohen në linjit.

“Ne kemi një bilanc shumë të pavolitshëm të energjisë elektrike tani sepse që nga viti 2000 deri më tani kemi importuar energji elektrike në vlerë prej 450 milionë euro, që është vlerë adekuate e ndërtimit të një termocentrali të ri, dhe po ashtu kemi borxhet konsumatorë ndaj prodhuesit të energjisë elektrike në vlerë prej rreth 400 milionë euro, kemi humbje të madhe teknike të energjisë elektrike rreth 36%, prandaj do të angazhohemi maksimalisht që të vejmë rregulla, të rrisim prodhimin por ta rrisim edhe efiçiencën e energjisë elektrike”, ka thënë Mustafa.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)