06 Maj 2024

Ministri Ismajli në konferencën për energjinë në Lituani

Vilnius, 5 nëntor - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli mori pjesë në Konferencën me temën "Completing the Internal Energy Market", që u mbajt me 4 dhe 5 nëntor në Vilnius të Lituanisë.

Konferenca në fjalë organizohet nga Qeveria e Lituanisë, e cila është edhe udhëheqëse e Këshillit të Bashkimit Evropian në gjashtë mujorin e dytë të vitit 2013.

Në këtë konferencë po marrin pjesë autoritete të larta evropiane nga fusha e energjisë, resurseve kombëtare dhe zhvillimit ekonomik.

Po ashtu, në konferencë marrin pjesë edhe përfaqësues nga Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore, etj.

Në fjalën e saj hyrëse, Presidentja e Lituanisë, Dalia Grybauskaite tha se një treg i  integruar i energjisë në BE mund të reduktojë ndjeshëm çmimet e energjisë dhe do të përmirësojë konkurrencën në BE. Prandaj, sipas saj, duhet të punohet drejt ndërtimit të një tregu të qasshëm dhe të sigurt të energjisë.

Ndërsa, ministri Ismajli mbajti një fjalë rasti në sesionin e organizuar për panelin e ministrave të  Danimarkës, Lituanisë, Letonisë, Estonisë, Bullgarisë, Qipros dhe Moldavisë.

Ismajli u fokusua në atë që Kosova po bën në fushën e energjisë duke vënë në të njëjtën kohë në pah vështirësitë e arritjes së këtyre objektivave. “Nuk kemi asnjë dileme që rruga dhe vendi jonë për energjinë është i njëjtë me atë të BE-së porse në arritjen e këtyre standardeve na duhet mbështetje nga Komisioni Evropian”, tha ai.

Kreu i MZHE-së vuri në dukje se tashmë janë vendosur konturat ligjore të cilat do të implementohen me përpikëri në vitet në vazhdim, në mënyrë që Republika e Kosovës të funksionojë denjësisht në rrjetin energjetik evropian, me theks të posaçëm si akter i rëndësishëm për energjinë në Ballkanin Perëndimor.

Reforma në sektorin e energjisë theksoi në vijim Ismajli, ka kaluar nëpër tri faza kryesore që janë; Ristrukturimi (shthurja e ndërmarrjes vertikalisht e integruar), Forcimi i rolit të Rregullatorit të pavarur, dhe Privatizimi (shpërndarja dhe furnizimi tashmë janë privatizuar).

Në këtë drejtim Ministri Ismajli kërkoi që KE të konsiderojë karakteristikat dalluese të Kosovës nga aspekti i tregut të energjisë elektrike dhe kërkesave mjedisore për fazën transitore.

Objektiv i konferencës ishte ideja e krijimit dhe ndërtimit të një tregu të përbashkët të energjisë të vendeve të BE-se dhe vendeve tjera të cilat janë në rrugë të anëtarësimit në këtë organizëm.

Ndryshe, konferenca ndërkombëtare mbi tregun e energjisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të Kryesisë Lituaneze të Këshillit të Bashkimit Evropian, e cila u ndoq nga një numër i madh i mediave evropiane dhe më gjerë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)