28 Mars 2024

Licencimi i hidrocentraleve dhe monitorimi i tyre ka nevojë për përmirësim

Prishtinë, 27 qershor - Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe monitorimi i tyre mbi ndikimin në mjedis dhe ujëra”.

Objektivë e këtij auditimi ishte të vlerësojmë nëse sistemi i licencimit të hidrocentraleve është menaxhuar si duhet, ofron transparencë dhe siguron mbrojtje të ujërave dhe mjedisit përmes zbatimit të kritereve për licencim nga hidrocentralet e njëkohësisht janë arritur caqet/synimet për prodhimin e energjisë së ripërtëritshme.

Subjektet e auditimit ishin Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përderisa në nivel lokal, subjekt i auditimit ishin Komuna e Deçanit, Komuna e Mitrovicës, Komuna e Dragashit dhe Komuna e Shtërpcës.

Ky auditim ka përfshirë periudhën 2016 – 2021, dhe ka konstatuar se institucionet e audituara kanë të vendosur një sistem të licencimit të hidrocentraleve i cili është funksional, megjithatë karakterizohet me mangësi të theksuara në zbatimin e kritereve, i cili nuk siguron shfrytëzim efikas të ujërave në vend dhe menaxhim e mbrojtje  të duhur të tyre dhe të mjedisit.

Raporti thekson se ka mungesë të koordinimit të palëve për arritjen e caqeve të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, zbatimit të kritereve nga ZRRE-ja për licencimin e hidrocentraleve, mungesën e zbatimit të kritereve për mbrojtjen e mjedisit nga MMPHI-ja, dobësitë në përcjelljen e veprimtarisë së hidrocentraleve nga Inspektorati i MMPHI-së, dështimi në zbatimin e koncesionimit për dhënien e të drejtës ujore për shfrytëzim të ujit për prodhim, dështimi në hartimin e Planit për Menaxhimin e Pellgjeve, etj.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca,  lidhur me këtë auditim ka deklaruar se institucionet përgjegjëse duhet të sigurojnë se licencimi i hidrocentraleve bëhet në pajtueshmëri të plotë me kërkesat ligjore, ofrojnë transparencë dhe sigurojnë mbrojtje të ujërave dhe mjedisit.

Objektivat strategjike të përcaktuara lidhur me arritjen e caqeve/synimeve për prodhimin e energjisë së ripërtëritshmedhe duhet të monitorohen në mënyrë sistematike dhe aty ku është e nevojshme të merren masa për përmirësim. Koordinimi dhe bashkëpunimi mes insitucioneve publike është mëse i domosdoshëm me qëllim që të rritet llogaridhënia dhe transparenca si në menaxhimin e licencimeve e po ashtu edhe në mbrojtjen e mjedisit, përkatësisht ujërave.

Për rregullimin e sistemit të licencimit të hidrocentraleve  dhe mbrojtjen e ujërave dhe mjedisit është dhënë 1 rekomandim për Qeverinë e Kosovës, 2 rekomandime për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë dhe 8 rekomandime për Ministrinë e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë dhe inspektoratin e saj.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)