29 Prill 2024

Kosova shënon progres në implementimin e obligimeve nga TKE

Prishtinë, 6 tetor - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj në takimin e 9-të të Këshillit Ministror të Traktatit të Komunitetit të Energjisë (TKE), i cili po mbahet në Kishinjev të Moldavisë, ka potencuar se Republika e Kosovës ka realizuar progres të jashtëzakonshëm në implementimin e obligimeve të cilat dalin nga TKE dhe në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Ministri Beqaj theksoi që Republika e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme në fushën e reformimit të sektorit të energjisë.

Në këtë drejtim ai i ka informuar pjesëmarrësit se Kuvendi i Kosovës i ka miratuar ligjet bazë në fushën e energjisë siç janë  Ligji për Energjinë,  Ligji për Energjinë Elektrike, Ligji për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë dhe Ligji për Efiçiencën e Energjisë, dhe aktet e tjera nënligjore të cilat janë në proces të implementimit.

Ministri Beqaj ka theksuar se Qeveria e Kosovës është përkushtuar që të zhvillojë kapacitete të reja në sferën e gjenerimit të energjisë, e cila është parakusht esencial për zhvillimin ekonomik të vendit. Në këtë kontekst, projektet si ndërtimi i termocentralit Kosova e Re, privatizimi i distribucionit dhe furnizimit të energjisë, kanë rol të rëndësishëm në tërheqjen e kapitalit privat në vend dhe në ngritjen e qëndrueshmërinë  së sektorit energjetik në vend.

Ministri Beqaj tha që Kosova është e përkushtuar drejt integrimit të plotë në tregun rajonal të energjisë, përmes së cilit do të eliminohen barrierat aktuale në bashkëpunimin energjetik, do të ngritët niveli i bashkëpunimit dhe koordinimit në të ardhmen në mes të shteteve nënshkruese të Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të vendit për të arritur objektivat e prodhimit të energjisë nga resurset e ripërtrishme, konform potencialit natyror të Kosovës. Gjithashtu, ai ka shprehur përkrahjen e plotë në promovimin dhe lidhjen e Kosovës në projektin e furnizimit rajonal me gaz.

Në këtë takim ministri Beqaj ka ngritur çështjen e zgjidhjes së kontestit në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, e cila në mënyrë të paligjshme vazhdon të shfrytëzojë sistemin e transmisionit të Kosovës.

Ministri Beqaj theksoi që institucionet e Kosovës kanë ngritur çështjen sipas bazës ligjor në fuqi, në instancat më të larta të cilat janë përgjegjëse për zgjidhjen e kontesteve të natyrës së tillë dhe ka shprehur besimin e tij te plotë që kjo çështje do të zgjidhet në frymën e bashkëpunimit bilateral në të ardhmen.

Gjatë këtij takimi, Ministri Beqaj ka marrë konfirmimin nga Sekretariati i Komunitetit të energjisë që kjo çështje do të trajtohet me prioritet të lartë, sipas praktikave më të mira  të cilat janë në interes të thellimit të bashkëpunimit rajonal në të ardhmen.

Kreu i MZHE-së është shprehur i bindur që ky veprim kundërligjor nga ana e Serbisë do të zgjidhet sa më parë në favor të Republikës së Kosovës.

Republika e Kosovës gjatë këtij takim të rëndësishëm ka nominuar përfaqësuesin e saj në Komitetit Këshillëdhënës në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, i cila ka për obligim të ofroj rekomandime në rastet e paraqitjes së kontesteve në mes të shteteve nënshkruese të Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

Një nga rezultatet shumë të rëndësishme të këtij takimi ishte vendimi për implementimin e plotë të paketës së tretë të Unionit Evropian deri në vitin 2015, gjë qe nënkupton harmonizim të plotë të sistemit energjetik të Kosovës me atë të shteteve anëtare të BE-së.

Kjo gjithashtu nënkupton se do të ketë konkurrencë të plotë në treg, do të ketë integrim me sistemet e rajonit, dhe do të përforcohet roli i institucioneve profesionale.

Në këtë takim ishin pjesëmarrës Ministrat dhe përfaqësuesit e tjerë të vendeve nënshkruese të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, Gunther Oettinger - Komisionari për Energji, Valeriu Lazar - Zv.kryeministr dhe Ministër i Ekonomisë së Moldavisë, përfaqësues të Bankës Botërore, USAID-it, dhe vendeve të tjera të Bashkimit Evropian.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)