29 Prill 2024

Kosova dhe Shqipëria me treg të përbashkët të energjisë

Prishtinë, 10 mars - Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në fushën e energjisë elektrike ka filluar të konkretizohet. Mungesa e kapaciteteve dhe llojshmëria e tyre ka bërë që Ministria e Zhvillimit Ekonomik e Kosovës dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë e Shqipërisë të themelojnë tregun e përbashkët të energjisë, si një zonë të vetme tregtare.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik i Kosovës, Blerand Stavileci, bashkë me ministrin e Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, thanë se studimet që i kanë paraprirë këtij tregu të përbashkët të energjisë, kanë dëshmuar se themelimi i tij përpos që është teknikisht i mundshëm, është edhe ekonomikisht i leverdishëm për të dyja shtetet.

“Sistemet e energjisë në Kosovë dhe Shqipëri janë komplementare, sepse Kosova ka kapacitete termike, kurse Shqipëria kapacitete hidrike."

"Ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese në Kosovë dhe Shqipëri janë edhe imperativ i kohës, prandaj duke pasur parasysh objektivat tona për krijimin e një tregu të hapur e konkurrues, si dhe rëndësinë e iniciativave të bashkëpunimit rajonal për bashkimin e tregjeve nacionale, në mënyrë që t’i shfrytëzojmë burimet më të lira të energjisë, po e themelojmë edhe tregun tonë të përbashkët të energjisë elektrike”, ka thënë ministri Stavileci.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë themeluar edhe Komitetin Drejtues të përbashkët të udhëhequr nga ministritë përkatëse dhe të përbërë nga përfaqësuesit e autoriteteve rregullatore dhe operatorëve të sistemit të transmetimit dhe tregut të energjisë.

Në këtë komitet të drejtë vote do të ketë ministri i Zhvillimit Ekonomik i Kosovës, ministri i Energjisë dhe Industrisë i Shqipërisë, kryesuesi i Bordit të ZRRE së Kosovës, kryesuesi i Bordit të ERE së Shqipërisë, kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT të Kosovës dhe administratori i OST të Shqipërisë.

Ndërsa, pa të drejtë vote në përbërje të Komitetit Drejtues do të jenë edhe udhëheqësi i Departamentit të Energjisë i MZHE së Kosovës dhe udhëheqësi i Departamenti të Energjisë i MEI të Shqipërisë.


 



Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)