KMDLNj: KEDS frynë faturat

KEDS për të keq i befasoi qytetarët e Kosovës në përgjithësi ndërsa ata të Prishtinës në veçanti me faturimin e shpenzimeve të rrymës për muajin nëntor të cilat krahasuar me muajin tetor ishin 100% më të shtrenjta e në disa raste edhe më shumë. KMDLNj së, i janë drejtuar qytetarë të Prishtinës të cilëve shuma e faturuar ishte edhe dhjetëfishi i faturave të mëparshme ndonëse nuk ishin shpenzues të mëdhenj.
KEDS ka filluar zbatimin e tarifave të dimrit për konsumatorë ku shpenzimi llogaritet i përshkallëzuar varësisht se sa është shpenzuar kjo rrymë në këtë periudhë. Në fakt, KEDS tarifat dimërore do ti zbatojë për 6 muaj gjatë vitit e që paraqet se llogaritjen e kohës e bën sipas kritereve që mundëson fitime marramendëse për këtë kompani dhe dëme serioze, të paarsyeshme dhe jo normale për buxhetin e familjeve, shpenzues të energjisë elektrike në Kosovë, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.
KMDLNj nuk e ka të qartë dhe se në çka mbështetet KEDS kur e llogarit periudhën dimërore në gjashtë muaj dhe pse autoritetet kosovare përkatësisht Zyra e Rregullatorit nuk reagon në mbrojtje të konsumatorit dhe nuk e parandalon këtë veprim arbitrar dhe të dëmshëm të KEDS.
Edhe ashtu pjesa dërmuese e familjeve kosovare përballen me probleme serioze për sigurimin e mbijetesës dhe ky haraç i KEDS-it do të ndikojë edhe më shumë në përkeqësimin e gjendjes ekonomike duke rrezikuar edhe shëndetin e tyre.
Prandaj, KMDLNj fton autoritetet kosovare që të intervenojnë menjëherë duke e pamundësuar këtë plaçkitje që u bënë KEDS qytetarëve të Kosovës.
Në të kundërtën qytetarët duhet të organizohen, mos ti paguajnë faturat e fryra të energjisë elektrike dhe të demonstrojnë për realizimin e të drejtave të tyre për një furnizim të rregullt me energjinë elektrike me një çmim që është i përballueshëm dhe i cili është në përputhje me mundësitë e tyre materiale. Në Kosovë çmimi i energjisë elektrike është më i larti në rajon ndërsa standardi jetësor është më i ulëti në rajon, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.
Tarifa dimërore në kohëzgjatje prej 6 muajve është skajshmërisht diskriminues, i papërballueshëm për shpenzuesit e vegjël (amvisëri, pensionistët dhe bizneset e vogla) dhe nëse nuk ndryshohet protestat e qytetarëve do të jenë të pashmangshme. Dhe do të jenë plotësisht të arsyeshme.