KEDS / KESCO nuk ia kanë konfiskuar lopën Bislim Halitit

Prishtinë, 31 mars - KEDS / KESCO kanë sqaruar për opinionin se nuk ia kanë konfiskuar lopën Bislim Halitit nga fshati Dvorishtë e Podujevës, siç është apostrofuar në shumë media.
KEDS/KESCO nuk konfiskojnë asnjë pajisje shtëpiake apo pasuri të asnjë individi, por merren me distribuimin, përkatësisht furnizimin me energji elektrike dhe janë të licencuar për të operuar në tërë territorin e Kosovës.
Në kuadër të këtyre kompetencave, KEDS / KESCO kanë përgjegjësi ligjore ti trajtojnë të gjithë konsumatorët në mënyrë të barabartë.
Kjo nënkupton edhe detyrime të anës tjetër, pra ata që e shpenzojnë duhet ta paguajnë.
Në rast të mospagesës së borxhit është praktikë standarde që KEDS / KESCO e dërgojnë rastin tek përmbaruesi në pajtim me ligjin përkatës.
KEDS / KESCO të gjitha veprimtaritë e veta i mbështesin në ligjet e aplikueshme në Kosovë.
Në rastin konkret, ka qenë vet konsumatori që në mënyrë vullnetare kishte shkuar të përmbaruesi dhe e kishte paguar borxhin njëherësh, përkundër faktit se i ishte mundësuar pagesa me rata nga përmbaruesi privat.
KEDS / KESCO lusin të gjitha mediat që të marrin edhe anën tjetër kur shkruajnë në mënyrë që të del e vërteta në shesh dhe të mos rrëshqitet në të pavërteta të cilat po dëmtojnë rëndë dhe qëllimshëm operimet e kompanisë.