05 Maj 2024

KEDS-i investon një milion euro në Besianë

Albulena S.MAVRAJ

Prishtinë, 21 korrik - KEDS-i dhe Komuna e Besianës kanë arritur marrëveshje për ndërrimin e njehsorëve të energjisë elektrike në këtë komunë.

Zëdhënësi i KEDS-it, Guri Shkodra, ka thënë se qëllimi kryesor i KEDS-it është ta përmirësojë cilësinë e shërbimeve dhe t’i zvogëlojë humbjet teknike dhe komerciale.

“Në këtë kontekst, një prej punëve kryesore është edhe rehabilitimi i rrjetit me tension të ulët, duke filluar nga zëvendësimi i trafove, zëvendësimi i shtyllave, vendosja e kabllove dhe njehsorëve dhe zhvendosja e njehsorëve jashtë me qëllim të përmirësimit të shërbimeve për konsumatorë dhe për ta lehtësuar kontrollimin”, është shprehur ai.

Sipas tij, edhe zhvendosja e njehsorëve jashtë është e integruar në projektin e përmirësimit të rrjetit të tensionit të ulët dhe implementohet bashkërisht me zëvendësimin e kabllove të vjetra me kabllo të reja të cilësisë së lartë si dhe zëvendësimin e shtyllave.

Shkodra ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se KEDS-i ka përgatitur dhe ka kontraktuar projekte për Komunën e Besianës në vlerë prej 1.1 milion eurosh, që kanë për qëllim rregullimin e nivelit të ulët të tensionit në rrjet, duke përfshirë edhe zëvendësimin e njehsorëve dhe zhvendosjen e tyre jashtë. “Projekte të ndryshme në kuadër të planit të investimeve përfshijnë:

Investimin në linjat 10 kV; investimin në linjat 10/04; investime në kabllo të reja për konsumatorë si dhe; zëvendësimin e njehsorëve të vjetër dhe zhvendosjen jashtë (MMO)”, është shprehur Shkodra, duke shtuar se ky investim do t’ua mundësojë qytetarëve të përfitojnë në mënyra të ndryshme si: përmirësimin e cilësisë së energjisë për konsumatorë, zëvendësimin e kabllove të vjetra me kabllo të reja, shërbime shumë më të mira dhe ngritje të nivelit të kënaqshmërisë për të gjithë.

I pyetur se sa mund t’u kushtojë qytetarëve të Kosovës mosvendosja e njehsorëve të ri në Komunën e Besianës, Shkodra është përgjigjur: “Në vitin 2014 në Komunën e Besianës me rrethinë humbjet energjetike janë të nivelit prej 38-përqindësh, me një sasi të dukshme të problemeve me prishje për shkak të pajisjeve të vjetra ose mbingarkesës. Prishjet në rrjet dhe humbja e energjisë ndikojnë te paguesit e rregullt të energjisë elektrike që nuk e keqpërdorin energjinë elektrike”.

Shkodra ka shtuar se këto investime do të ndikojnë në minimizimin e ndërprerjeve të energjisë elektrike që ndodhin për shkak të mbingarkesave dhe rrjetit të vjetër.

“KEDS-i është në gjendje gatishmërie për t’i filluar investimet menjëherë pas konfirmimit nga Komuna e Besianës. Përveç ekipeve të KEDS-it, ne kemi kontraktuar dhe kontraktorë të jashtëm për ta vazhduar punën dhe për t’i bërë rregullimet sa më shpejt që është e mundur”, është shprehur Shkodra.

Kurse rreth asaj se pse Komuna e Besianës s’kishte lejuar vendosjen e njehsorëve të ri, ai ka thënë se KEDS-i vazhdimisht ka dërguar kërkesa te Komuna e Besianës. “Jemi në pritje të përgjigjeve rreth implementimit të planit tonë të investimeve. Me implementimin e këtyre investimeve do të përfitojnë vetë konsumatorët dhe kjo do të vërehet edhe në shtëpitë e tyre. KEDS-i ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me shumicën e komunave. Zyrtarë të komunave, qytetarë të organizuar në forma të ndryshme, kërkojnë investime të ndryshme, të ngjashme me ato të cekura më lart”, është shprehur ai.

Hamdi Jaha, drejtor i Inspeksionit në Komunën e Besianës, ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se Komuna e Besianës dhe KEDS-i kanë rënë dakord që në zonat urbane të vendosen kaseta të njehsorëve të cilat nuk paraqesin pengesë.

“Një kasetë njehsorësh tani do t’i ketë gjashtë deri 12 njehsorë dhe do të vendosen në vende ku nuk paraqesin rrezik. Po ashtu, në bazë të marrëveshjes në projektet e KEDS-it për vitin 2015, përgjatë rrugëve kryesore të qytetit, kabllot e energjisë elektrike do të vendosen nën tokë në mënyrë që të largohen shtyllat, të cilat pengojnë dhe paraqesin rrezik”, ka thënë Jaha, i cili s’ka dhënë përgjigje pse Komuna e Besianës nuk i kishte lejuar investimet e parapara nga ana e KEDS-it. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)