05 Maj 2024

Kaçaniku: Shtrenjtimi i energjisë u bënë dëm të madh konsumatorëve

Albulena S. MAVRAJ

Prishtinë, 12 shtator - Udhëheqësi i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, arsyetimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), për rritjen e çmimit të energjisë për 5.18 për qind, e ka cilësuar të dëmshëm si për konsumatorët, ashtu dhe bizneset.

“Ne kemi kërkuar të rezistojmë kundër kësaj rritje. Nëse mbetet kjo rritje, do të jetë një dëm jashtëzakonisht i madh për të gjithë konsumatorët dhe për ekonominë e gjithëmbarshme të Kosovës. Çmimi i ri do t’i tërheqë çmimet e të gjitha produkteve të tjera që sadopak përdorin energji elektrike në prodhimin dhe trajtimin e tyre”, ka deklaruar Kaçaniku për gazetën “Epoka e re”.

Ai ka shtuar se që nga fillimi jo vetëm se e kanë kundërshtuar çmimin e paralajmëruar, por kanë propozuar dhe kanë bërë kërkesë që çmimi të ulet.

“Kemi bërë kërkesë, por as kërkesa e parë as e dyta nuk janë shqyrtuar nga Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike, ani se ata thonë se po. Në të vërtetë ata i kanë lexuar kërkesat tona, por me të vërtetë nuk i kanë shqyrtuar sepse asnjë kërkesë e jona, edhe pse e bazuar, nuk është marrë parasysh”, është shprehur Kaçaniku, duke shtuar se dyshon se prapa këtij vendimi mund të jetë dikush nga lart. “Një vendim i tillë na bën të dyshojmë se ka qenë i iniciuar ose i urdhëruar nga dikush më lart. Konsumatori është duke pritur çfarë do të bëjmë ne, pasi ata e kanë humbur besimin dhe nuk kërkojnë më mbështetje nga askush, prandaj është momenti ta kthejmë besimin e konsumatorit. Konsumatori është taksapagues dhe gjeneruesi kryesor i buxhetit nga i cili financohen institucionet dhe i tërë aparati shtetëror”, ka deklaruar ai.

Kurse eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, ka deklaruar se Zyra e Rregullatorit është dashur t’i ketë parasysh këto situata në kohën kur e ka miratuar vëllimin e shpenzimeve që do ta kenë këta dy operatorë. “Vendimi për shtrenjtim të mundshëm të energjisë elektrike është i tillë, por nuk është i drejtë, pasi qytetarët po e pësojnë për shkak të keqmenaxhimit të dy operatorëve”, ka thënë ai.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)