Javën e ardhshme hapen ofertat financiare për TC Kosova e Re

Prishtinë, 30 janar - Komiteti Drejtues i Projektit (KDP) Termocentralit Kosova e Re, (TCKR), i udhëhequr nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, mbajti takimin e radhës ku u prezantuan rezultatet e vlerësimit të ofertës së përputhshmërisë të dorëzuar nga ofertuesi Contour Global.
Në takim u bënë prezantimet e rekomandimeve për vlerësimin e ofertës nga Komisioni për Vlerësimin e Ofertave, Këshilltarët e Transaksionit, Këshilltari Strategjik (IFC), si dhe rekomandimet e Bankës Botërore.
KDP TC Kosova e Re me këtë rast mori vendim që procesi të vazhdojë me hapjen dhe vlerësimin e Ofertës Financiare, gjatë javës së ardhshme.
Në këtë takim, përveç Këshilltarëve të Transaksionit, anëtarëve të rregullt të KDP-së, ishin prezent edhe anëtarët vëzhgues si, Banka Botërore, BERZH, USAID, KfW, Ambasada Amerikane, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, si dhe përfaqësuesit e institucioneve tjera vendore që kanë të bëjnë me sektorin.
MZHE do ta informojë me kohë opinionin publik për zhvillimet e tjera që do të ndodhin gjatë ditëve në vijim.