Japonia e gatshme ta ndihmoj Mitrovicën në mbrojtjen e ambientit
Mitrovicë, 9 shkurt - Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati dhe drejtori për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, Rasim Veseli, kanë pritur të martën në takim një delegacion të Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, të kryesuar nga këshilltarja e kësaj organizate, Jumi Jasuda, më të cilët kanë biseduar për projektet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e ambientit.
Në këtë kontekst, përfaqësuesit e kësaj organizate kanë shprehur gatishmëri për të ndihmuar në këtë fushë dhe janë interesuar për gjendjen në fushën e ambientit, në mënyrë që të krijohet një pasqyrë e përgjithshme për këtë aspekt.
Këshilltarja e kësaj organizate, Jumi Jasuda, ka shprehur interesim të veçantë për projektin që ka të bëj me rregullimin e shtratit të lumit Sitnica në afërsi të kompleksit industrial Trepça, ku ekziston një gjendje më e rëndë në këtë drejtim.
Në anën tjetër, kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka thënë se projektet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e ambientit është një prej prioriteteve të angazhimit të tij në këtë post dhe ka falënderuar delegacionin japonez për vullnetin që kanë treguar për të ndihmuar.
Gjendja e ambientit në komunën tonë është shumë e ndjeshme, ndërsa mundësitë financiare janë shumë të kufizuara, andaj ndihmat nga organizata dhe institucione të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare janë shumë të nevojshme.
Duke u fokusuar në projektin për rregullimin e shtratit të lumit Sitnica, kryetari Kastrati, theksoi se në bashkëpunim me menaxherët e Trepçës kanë përgatitur një projekt ideor, i cili së shpejti mund të shndërrohet në projekt detal.
Më shumë detaje për këtë projekt ka dhënë drejtori për Infrastrukurë dhe Shërbime Publike, Rasim Veseli, i cili ka thënë se uji i lumit Sitnica, ka qenë shumë i pastër dhe i pasur me peshq, ndërsa nga ujërat industriale të termocentralit në Obiliq dhe industrisë së zinkut në Mitrovicë, është shndërruar në një lum shumë të ndotur.
Ai tha se së bashku me menaxherët e Trepçës, të cilët kanë dhënë ide për trajtimin e ujërave industriale kanë përgatitur një projekt ideor për rregullimin e shtratit të lumit Sitinica në një pjesë të caktuar.
Veseli theksoi se në kuadër të këtij projekti parashihet edhe zgjidhja problemit të ujërave atmosferike dhe atyre fekale, të cilat do të trajtohen në impiante të caktuara për to.
Në anën tjetër, ai tha se skaj shtratit të lumit parashihet që të rregullohen edhe shiritat e gjelbër. Për realizimin e këtij projekti kostoja është rreth 2.9 milionë, për çka nevojitet mbështetja nga donatorët.