27 Prill 2024

Hapet Propozimi Financiar për Termocentralin “Kosova e Re”

Prishtinë, 3 shkurt - Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Komisioni për Vlerësimin e Ofertave, në prezencë të Komitetit Drejtues të Projektit (KDP), Këshilltarit të Transaksionit dhe Këshilltarit Strategjik, dhe anëtarëve vëzhgues, ka bërë hapjen e Propozimit Financiar për Fazën I për Termocentralin Kosova e Re, e dorëzuar nga ofertuesi Contour Global me seli në SHBA. 

Në hapje të Propozimit Financiar të ftuar kanë qenë anëtarët vëzhgues nga Banka Botërore, BERZH, USAID, KfW, Ambasada Amerikane, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, si dhe përfaqësuesit e institucioneve tjera vendore që kanë të bëjnë me sektorin, KOSTT, KEK.

Duke u bazuar në kriteret e Kërkesës për Propozime, oferta e investitorit Contour Global përfshin Normën e Brendshme të Shlyerjes së Ekuitetit, e cila do të aplikohet për ekuitetin e kontribuar përgjatë jetëgjatësisë së Marrëveshjes së Blerjes së Energjisë, si dhe Koston Maksimale të Zhvillimit të Projektit, e cila nuk mund të tejkalohet dhe përfshin vetëm kostot specifikisht të lejuara për zhvillimin e projektit. 

Nëpërmjet ofertës së tyre Contour Global ka konfirmuar se është e gatshme dhe ka kapacitet financiar që të investojë ekuitet deri në 30% të kostos totale të investimit në Projekt, si dhe ka qasje në financim nga kreditë për pjesën tjetër prej 70% të kostos së investimit në Projekt.

Në bazë të analizave dhe studimeve të ndryshme të realizuara nga Këshilltari teknik i Transaksionit, kostoja totale e investimit në Projekt do të jetë rreth 1 Miliard Euro. Komiteti Drejtues i Projektit është i përkushtuar në zhvillimin e një procesi transparent dhe në përputhje me legjislacionin e Kosovës dhe aplikimin e rregullave të Bankës Botërore. Mbi këtë bazë, Propozimi Financiar nga Contour Global do të vlerësohet nga Këshilltarët e Transaksionit, Këshilltarët Strategjik, dhe Komisioni i Vlerësimit si dhe do të konsultohet Banka Botërore për të siguruar se oferta i përmbahet kushteve dhe kritereve të Bankës Botërore. 

Pas përmbylljes së kësaj faze, në Fazën 2 të Projektit do të shpallet një proces ndërkombëtar i konkurrimit për kontraktimin e EPC (Inxhiniering, Prokurim dhe Ndërtim) dhe O&M (Operim dhe Mirëmbajtje) dhe do të sigurohet financimi nga kreditorët për Projektin. Vetëm pas përfundimit të të gjitha këtyre fazave do të mund të definohet kostoja finale e investimit në Projekt dhe indikatorët e tjerë që ndërlidhen me Projekt. MZHE do ta informojë me kohë opinionin publik për zhvillimet e ardhme në kuadër të Projektit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)