Grupi kriminal lejoi instalimin e njehsorëve plaçkitës

Prishtinë, 2 maj - Zyrtarë të KEDS-it, të kompanisë për prodhimin e orëve Kohler dhe të Agjencisë së Metrologjisë besohet së përbëjnë një grup kriminal që kanë dëmtuar rreth 25 mijë konsumatorë të energjisë elektrike.
Ari Torosoglu - menaxher në Kohler, Ali Akkan - zëvendësdrejtor i rrjetit të KEDS-it, shtetas të Turqisë, Avni Alidemaj - drejtor i operimit dhe i mirëmbajtjes në KEDS, Blerim Sokoli, drejtor në Agjencinë e Metrologjisë, dhe Vjosa Ajvazi e Drita Hamiti po ashtu zyrtare në këtë Agjenci, kanë lejuar vendosjen e një numri të madh të njehsorëve të energjisë elektrike te konsumatorët kosovarë, të cilët kanë faturuar shumë më shumë energji sesa kanë shpenzuar.
Ata dyshohen se në bashkëkryerje me vetëdije të plotë kanë vënë në qarkullim njehsorët elektrikë të tipit Kohler AEL.TF.04.01, i cili nuk i ka plotësuar standardet minimale të kërkuara, përcjell koha.net. Prokuroria dyshon se ata kanë mashtruar konsumatorët kosovarë duke u shkaktuar dëm të konsiderueshëm material, shkruan Koha Ditore.