05 Dhjetor 2024

GAP prezanton përfitimet ekonomike nga investimet në efiçiencë të energjisë

Prishtinë, 26 korrik - Sot, Instituti GAP organizoi tryezë diskutimi ku publikoi gjetjet e raportit “Përfitimet ekonomike nga investimet në efiçiencë të energjisë në Kosovë.”

Blendi Hasaj, Drejtor ekzekutiv në Institutin GAP, prezantoi gjetjet e raporitit ku ndër të tjera theksoi se Kosova ka intensitetin më të lartë të energjisë në Evropë.

Sektori rezidencial është konsumatori kryesor, që do të thotë se është edhe sektori me potencialin më të lartë për kursim.

Përgjatë viteve 2016-2022 janë zbatuar disa projekte qeveritare, si dhe projekti i Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, ku si rezultat i investimeve të bëra është arritur kursimi prej rreth 29.61 ktoe apo rreth 344.36 GWh.

Mirëpo këto projekte, veçmas ato të Qeverisë, fokus të veçantë kanë pasur sektorin publik dhe në masë më të vogël sektorin rezidencial dhe industrinë.

Nëpërmjet Strategjisë Kombëtare të Energjisë 2022-2031 është përcaktuar objektivi ambicioz i kursimeve kumulative prej 283 ktoe deri në vitin 2031. Përderisa dokumentet strategjike dhe legjislative janë të gjitha të definuara, mungesa e zbatimit të duhur dhe mekanizmave mbështetës e ka zgjatur procesin e investimit në efiçiencë të energjisë.

GAP rekomandon që Qeveria e Kosovës duhet të siguroj rrjedhën e vazhdueshme të financimit në Fondin e Efiçiencës së Energjisë; të zgjeroj fushëveprimin e Fondit duke e bërë atë fond për tranzicionin energjetik i cili ka mandat të mbështesë ekonomitë familjare, sektorin privat, si dhe sektorin publik; të krijoj tregun e kompanive ESCO; të zgjeroj mbështetjen e Fondit për Garanci Kreditore në mbështetje të sektorit privat për uljen e riskut në investimin e projekteve të EE-së; të zhvillojë strategjitë plotësuese që promovojnë efiçencën e energjisë në sektorët e transportit dhe industries, etj.

Artane Rizvanolli, Ministre e Ministrisë së Ekonomisë, theksoi se Qeveria e Kosovës e ka prioritet efiçiencën e energjisë.

Në dy vitet e fundit është bërë shumë punë në investimet në sektorin publik përmes Fondit për Eficiencë të Energjisë i cili është rifunksionalizuar duke zbatuar projekte të ndryshme.

Në vitin 2023, Qeveria bashkë me Fondin parashihet të zbatojnë në total 40 milionë euro investime. Për sektorin privat është dizajnuar skema për paisje efiçiente në vlerë rreth 6 milionë euro, ku janë mbështetur gati 10,000 mijë familje, skemë e cila ka pasur impakt shumë të madh edhe në ngritjen e vetëdijes së qytetareve.

Ketë vit në bashkëpunim me Fondin, Ministria ka dizajnuar skemën për investime në efiçiencë për shtëpi private dhe për paisje efiçiente shtëpiake, sisteme solare termale,etj.

Znj. Rizvanolli gjithashtu tregoi se për herë të parë do të fillojnë edhe me skemën per mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme. Masat priten ta hapen gjate këtij muaji.

Naser Sahiti, profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, tregoi se çeshtja e vetëdijesimit të qytetarëve në lidhje me rëndesinë e efiçiencës së energjisë është një problem për të cilin duhet që të punohet më shumë.

Rëndësi të veçantë duhet tu jepet zyrave komunale për energji apo zyrtarëve komunal ku përmes tyre të kemi qasje  në të dhëna  në mënyrë që të kemi analiza sa më të sakta që të dihet impakti real. Universiteti i Prishtinës ofron trajnime për auditor të energjisë.

Por për shkak të Ligjit të ri për paga, është krijuar paqartësi sa i përket kompensimit të trajnerëve të Qendrës për Energji dhe Qëndrueshmëri, ku z.Sahiti kërkoi ndërhyrjen e Ministres që ky problem të zgjidhet në një diskutim me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.

Kreshnik Muhaxheri, Këshilltar në Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, foli për rolin e Fondit dhe projektet më të fundit që janë duke u kryer, duke filluar në rritjen e eficiencës së energjisë në ndërtesat rezidenciale të kategorive sociale.

Gjatë vitit do të lansohet një aplikacion i ri ku qytetarët mund të informohen dhe aplikojnë për skemat mbështetëse të Fondit sa i përket investimeve për rritjen e eficiencës.

Në tryezë morën pjesë dhe përfaqësues të institucioneve vendore, përfaqësues dhe anëtar të Odës Ekonomike Gjermane, shoqërisë civile, akterë të fushës dhe mediat.  
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)