Berisha: Shqipëria, ambicie për superfuqi energjetike rajonale
Verona, 12 shkurt - Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha deklaroi në Verona të Italisë se ambicia kryesore e Shqipërisë është qe të kthehet në një superfuqi energjetike rajonale.
Ne jemi të vendosur që në vitet e ardhshme të vëmë në përdorim të gjitha burimet që do të shndërrojnë Shqipërinë në një eksportues të madh të energjisë. Ky është vizioni i qeverisë sime dhe sipërmarrjet italiane do të jenë të mirëpritura të kontribuojnë në këtë vizion, tha kryeministri Berisha.
Shefi i qeverise shqiptare përshëndeti punimet e Forumit mbi Investimet në Evropën Juglindore në Verona, ne te cilin marrin pjese 600 përfaqësues të kompanive më të mëdha italiane si edhe ministrat e Ekonomisë dhe Tregtisë së vendeve të Evropës Juglindore.
Berisha pasqyroi para investitorëve italianë potencialet dhe mundësitë e mëdha të Shqipërisë. Ai tha se të premten do të firmosë së bashku me kryeministrin italian Silvio Berlusconi një marrëveshje të partneritetit strategjik midis dy vendeve.
Unë kam qenë përherë i bindur që Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit përfaqësojnë një treg me interes shumë të madh për investitorët italianë. Unë jam shumë i lumtur që kryeministri italian Silvio Berlusconi ka zhvilluar më tej këtë vizion, deklaroi Berisha.
Ndërkaq, ministri italian i Ekonomisë Claudio Scajola tha se vendi i tij përfshihet në projektet nukleare, sepse beson në to
Dhe ashtu siç po orientohen vendet në të gjithë botën, ai beson se energjia e pastër për të mbrojtur ambientin dhe energjia me kosto të qëndrueshme në Evropën qendrore do të thotë rikthim në energji nukleare për prodhimin e energjisë elektrike për përdorim civil.
Sipas Skajoles, aktualisht janë 60 projekte në botë në rrugë për të marrë autorizimin. Italia është i vetmi vend i G8 - ës që nuk prodhon energji elektrike nga burimet nukleare. Kemi ndërmend ta prodhojmë vet atë duke rikuperuar traditën tonë teknologjike dhe industriale në bashkëpunim me Francën, SHBA-në dhe Rusinë, tha Skajola.