29 Nëntor 2024

“Termokos” dërgon fatura, por jo ngrohje

Prishtinë, 8 janar - Ngrohtorja “Termokos” në Prishtinë edhe më tutje nuk po arrin të ofrojë shërbime për qytetarët e Prishtinës. Në anën tjetër, kjo ndërmarrje komunale po u dërgon faturat, në disa raste të fryra, klientëve nëpër banesat e tyre për çdo muaj.

Qytetarët e kryeqytetit, e të cilët jetojnë nëpër banesa, ankohen për furnizim të dobët me ngrohje qendrore, ku ata i detyron të përdorin alternativa tjera ngrohëse.

Dardan Morina, banor i lagjes “Bregu i Diellit” në Prishtinë, thotë se asnjëherë nuk kanë qenë të kënaqur me furnizim me ngrohje nga ndërmarrja “Termokos”.

“Ne asnjëherë nuk llogarisim në ngrohjen e ‘Termokosit’, duke e marrë parasysh se gjithmonë përballemi me probleme të tilla. Neve si qytetarë nuk na intereson se si e sigurojnë ata mazutin, apo kanë probleme të tjera, ata duhet t’i kryejnë obligimet ndaj nesh, derisa ne i kryejmë obligimet ndaj tyre”, ka thënë i shqetësuar ai.

Morina thotë se orari i furnizimit me ngrohje është dy orë në mëngjes, e dy në mbrëmje, ndërkaq gjatë gjithë kohës tjetër ai thotë se duhet të përdorë ngrohëse me rrymë për ta ngrohur banesën e tij.

“Dy orë në mëngjes dhe dy orë në mbrëmje ngrohja është sa për të thënë se po na furnizojnë me ngrohje. Ne po detyrohemi të përdorim alternativa tjera të ngrohjes siç është rryma e që është shumë e kushtueshme”, ka shtuar ai.

Edhe Mevlude Dushi, banore e lagjes “Ulpiana” në Prishtinë, thotë se ‘Termokos” nuk furnizon mirë me ngrohje, por në anën tjetër, sipas saj, çmimet e faturave janë shumë të shtrenjta.

“Furnizimi me ngrohje nuk është i rregullt. Faturat na vijnë mjaft të shtrenjta, ndërsa ngrohje nuk ka të mjaftueshme. Lëshohet me reduktime, në mëngjes dhe në mbrëmje, e ne nuk jemi të kënaqur. Fatura këtë muaj më ka ardhur mjaft shtrenjtë, në krahasim me atë sa s’ka pasur ngrohje. Unë për këtë muaj kam paguar 50 euro për ngrohje, ndërsa edhe faturën e rrymës e kam paguar më shtrenjtë, pasi që na është dashur të ngrohemi me rrymë. Kemi fëmijë të vegjël dhe nuk mund t’i lëmë pa ngrohje. Unë mendoj se është papërgjegjësi e Termokosit”, ka thënë ajo.

I shqetësuar për mungesë të ngrohjes ne kryeqytet është edhe Muhamet Avdyli, banor i lagjes “Bregu i Diellit” në Prishtinë. Ai thotë se po përdor alternativën ngrohëse me gaz edhe pse është i vetëdijshëm se është e rrezikshme.

“Ne, shumicën e kohës ngrohemi me gaz, edhe pse është e rrezikshme, por s’kemi çfarë të bëjmë pasi që nuk kemi zgjidhje tjetër, ngrohtorja nuk është e rregullt në furnizim, me rrymë nuk kemi mundësi kështu që i kemi hyrë këtij rreziku”, tha ai.

Nagip Shehu, banor i lagjes “Pejton”, thotë se nuk çan kokën se a ka ngrohje a jo “Termokosi”, pasi që shumë vjet më parë e ka bërë zgjidhjen, të cilën mendon se është më e mira për kushtet në Kosovë, ngrohjen me dru.

“Ne ngrohemi me dru, nuk mbajmë ymyt as në ngrohtore as në rrymë. Këtë zgjidhje e kam bërë që 10 vjet, pasi që është më e duhura për kushtet tona. Ky është shteti, këta jemi ne, lypin përgjegjësi nga qytetarët derisa vetë janë të papërgjegjshëm në kryerjen e obligimeve të tyre”, ka thënë ai.

Nga mjetet e ndara për vitin 2012, më 13 shkurt nga Qeveria në llogarinë e “Termokos”-it ishin bartur 2 milionë euro.

Ndërsa pjesa tjetër e subvencionit për “Termokos”-in në shumën prej 1 milion euro, 500 mijë nga Ministria e Financave dhe 500 mijë të tjera nga Komuna e Prishtinës i janë dhënë “Termokos”-it në fund të muajit nëntor 2012, kur edhe ngrohtorja filloi sezonin ngrohës.

/Zeri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)