Thaçi: Ligji për veteranët e luftës unifikon spektrin politik
"Unë dëshiroj ta falënderoj kryetarin Xhemajli për punën e tij, shoqatën e veteranëve të luftës për angazhimin e tyre maksimal dhe shumë profesional për nxjerrjen e ligjit për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kemi punuar shumë ngushtë Zyra e Kryeministrit dhe Shoqata e veteranëve të luftës, Xhemajli dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij."
"Tanimë e kemi proceduar në Kuvend projektligjin për veteranët e luftës. Ka kaluar në leximin e parë. Ligji është harmonizuar plotësisht me Fondin Monetar Ndërkombëtar, janë të planifikuara edhe mjetet buxhetore", ka theksuar ai.
Sipas tij edhe diskutimi i sotëm ishte në vazhdën e rritjes së interesimit dhe vendosmërisë sonë që edhe ky ligj të kaloj sa më shpejtë që është e mundur, dhe qysh sot të futet në rendin e ditës për të enjten e ardhshme, që të kaloj ky ligj.
"Ligji për veteranët e luftës kam besim që do ti unifikoj spektrin politik. Besoj se edhe debatet e mëtutjeshme janë të panevojshme krejt, tani është koha që të nxirret ky ligj dhe të gjithë deputetët pa dallim të votojnë për ligjin për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës", ka theksuar ai.
Sipas tij Ligji nuk është vetëm i Qeverisë, kemi punuar shumë ngushtë bashkë me shoqatat e veteranëve të luftës.
"Substanca e ligjit është vullneti i veteranëve të luftës, prandaj edhe unë si veteran i luftës, edhe si kryeministër i Kosovës, i inkurajoj të gjithë që të vazhdojmë tutje dhe të procedojmë për votim. Hapësirë legale ka, vullnet ka, është e panevojshme dhe e padrejtë çdo shtyrje e mëtutjeshme", ka theksuar ai.
Nga ana e tij, nga kryetari i OVL të UÇK-së, Muharrem Xhemajli, pas takimit me kryeministrin Thaçi ka theksuar se kritikuar neglizhencën që është duke u bërë të cilën veteranët e konsiderojnë të panevojshme dhe e paarsyeshme.
"Kemi raste kur në Parlamentin e Kosovës, ka pasur ligje të cilat kanë kaluar brenda ditës do të thotë paradite e kanë bërë leximin e parë, ndërsa leximi i dytë është kryer pasdite. Kështu që çdo vonesë e mëtutjeshme për ligjin për veteranët e luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për ne është e papranueshme, duke pasur parasysh edhe gjendjen e rëndë sociale dhe ekonomike dhe problemet të cilat i kanë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, theksoi Xhemajli.
Veteranët e luftës vlerësojnë se kanë qenë njerëzit ndoshta më meritorët për stabilitetin e shtetit tonë, vendit tonë, duke pritur 14 vite pas përfundimit të luftës për një ligj të domosdoshëm, për një ligj i cili me të vërtetë do të rregulloj mirëqenien e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës."
"Ne shpresojmë dhe besojmë që ky ligj sot do të kaloj, do të procedohet në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, që të këtë të enjte të del në lexim të dytë dhe të jetë ligj përfundimtar për veteranët e luftës, theksoi Xhemajli.