Agjencia e Forenzikës shënon 10 vjetorin e themelimit
Prishtinë, 29 tetor - Agjencia e Kosovës për Forenzikë, me një ceremoni solemne, ka shënuar dhjetë vjetorin e themelimit të saj.
Pas sukseseve të arritura gjatë kësaj periudhe prej dhjetë vjetësh, të funksionimit të Forenzikës, përfshirë edhe anëtarësimin në Asociacionin Ndërkombëtar të Instituteve të Forenzikes, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, u shpreh i bindur se suksesi i radhës do të jete anëtarësimi në Rrjetin Evropian të Instituteve të Shkencës së Forenzikës, si anëtare e plotë.
Anëtarësimi në organizata ku ofrohet ekspertiza shkencore është e një rëndësie të veçantë pasi që edhe njohuritë tona të fushës standardizohen dhe krahasohen me institucione homologe në gjithë botën, tha ministri Rexhepi.
Për ndihmën e dhënë në zhvillimin e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, ministri Rexhepi falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe konkretisht programin e ICITAP-it, si dhe partnerët tjerë evropian.
U.D. i Kryeshefit të AKF-së, Blerim Olluri tha se me infrastrukture ligjore, pajisje, teknologji, metoda të avancuara, personel dhe menaxhment të përkushtuar, AKF ka arritur të jetë ndër institucionet më të besueshme, jo vetëm në vend por edhe në rajon.
Agjencia e Kosovës për Forenzikë, deri më tani ka kryer mbi 30 mijë ekspertime të ndryshme, ku për çdo vit kryen rreth 3 mijë ekspertiza. Këto ekspertime kanë ndihmuar policinë, prokurorinë, gjyqësorin dhe agjencitë tjera për zbatimin e ligjit, në zbardhjen e rasteve dhe dënimin e kryesve të veprave penale në nivel vendor dhe ndërkombëtar.
Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishte dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Sasha Rashiq, zëvendës-ambasadorja e SHBA-së në Republikën e Kosovës, Kelly Degnan, Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, Shpend Maxhuni, si dhe zyrtarë të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.