Elvis Kelmendi dënohet më katër vite burgim
Prishtinë, 13 maj - Elvis Kelmendi, i cili ishte ndjekur penalisht nga një ekip i përzier i prokurorëve të EULEX-it dhe atyre vendas, u shpall fajtor për tentim vrasje dhe u dënua me katër vite burgim nga një trup gjykues i përbërë nga tre gjyqtarë kosovarë në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Në një njoftim për media Eulex bën të ditur se Kelmendi fillimisht u akuzua nga prokuroria për tentim vrasje të rëndë të kryer në Bosnjë e Hercegovinë në vitin 2010 kundër Elvis Hoxhiqit.
Gjatë gjykimit, Kelmendi u deklarua fajtor për akuzën e ndryshuar për tentim vrasje.
Elvis Kelmendi fillimisht u arrestua nga Policia e Kosovës në bazë të Njoftimit të Kuq të Interpolit dhe pastaj u lirua.
Policia e EULEX-it e arrestoi atë përsëri në bazë të një hetimi të nisur nga një ekip i përzier i prokurorëve të EULEX-it dhe atyre vendas në bazë të ligjeve të aplikueshme në Kosovë dhe në bazë të informatave të pranuara nga Bosnja e Hercegovina.