20 Prill 2025

Zharku: Lënda e importuar nga “Shar Cem”, prodhim i gatshëm

Prishtinë, 4 korrik - Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, kryesuar dhe ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Mimoza Kusari-Lila, foli lidhur me vendimin e kësaj ministrie që ka të bëjë  me masat e përkohshme mbrojtëse për  prodhuesit e çimentos.

Vendimi i marrë nga ministria e MTI-së,  është i ligjshëm dhe i dobishëm për ruajtjen e prodhuesve vendor të çimentos, tha në fillim të paraqitjes së saj ministrja Lila.

Ky vendim, vijoi ajo, bazohet në Ligjin për masat mbrojtëse të importeve dhe në Ligjin antidamping.

Po ashtu, për këtë vendim ajo tha se është në harmoni edhe me politikat qeveritare të cilat kanë për qëllim ruajtjen e prodhimit vendor, si dhe vendeve të punës.

Me këtë rast, ajo përkujtoi se në “Shar Cem”, (në favor të të cilit është marrë vendimi),  janë të punësuar mbi 500 punëtorë. Sipas ministres Lila, ndaj këtij vendimi ankesat në adresë të Ministrisë vijnë nga importuesit e çimentos, të cilët me vite kanë operuar në Kosovë, ndërsa, kontributi i tyre në buxhetin e Kosovës ka qenë shumë i vogël.

Ajo me këtë rast shpalosi fakte, të cilat prodhuesin e çimentos “Shar Cem” e renditi ndër kontribuuesit më të mëdhenj dhe të drejtpërdrejtë të buxhetit të Kosovës me 32 milion euro për pesë vjet, derisa kompania “Titan Grooup”, (distributori më i madh i çimentos në Kosovë), me vetëm 193 mijë euro për të njëjtën periudhë kohore.

Ministrja, po ashtu tha se deri më tani në treg nuk është ndier ndryshim në  dëm të  konsumatorit.

Duke folur për atë, se sa gjatë do të jetë në fuqi ky vendim i Ministrisë, ajo tha “ Jemi duke e analizuar periudhën e mbajtjes në fuqi të këtij vendimi. Me Ligj është e paraparë që, nëse masat e marra në ndonjë rast hiqen, ato nuk mund të rishikohen para një viti”.

Lidhur me këtë vendim të Ministrisë, folën edhe anëtarët e komisionit. Deputetja Teuta Sahatqija dhe Visar Ymeri, u shprehën se vendimi është i dëmshëm, ai favorizon vetëm një prodhues duke krijuar monopol në prodhimin e këtij produkti.

Qëndrimit të tyre, ministrja iu përgjigj duke thënë: “ “Shar Cem”, nuk paraqet monopol për arsye se mbulon vetëm 33% të tregut të Kosovës (me tendencë të rënies së mëtejme), ndërsa sipas Ligjit për Mbrojtjen e konkurrencës, në Kosovë, monopol konsiderohet të jetë çdo ndërmarrje që ka më shumë se 40% të tregut”.

Deputeti, Lutfi Zharku (LDK), ndërkaq, përpos që u shpreh kundër këtij vendimi të Ministrisë, ai po ashtu tha se, vendimi, ndonëse, ka bazë ligjore, shkel procedurat që parashihen në implementimin e vendimeve.

Duke kundërshtuar të dhënat e paraqitura nga ministrja Lila, ai ngriti edhe dyshimin që ka të bëjë me importin e lëndës së parë nga “Shar Cem”, për ç’gjë kjo kompani aktualisht është në kontest doganor me autoritetet përkatëse të doganave të Kosovës. Sipas deputetit Zharku, lënda e parë të cilën është duke e importuar “Shar Cem”, është prodhim i gatshëm i çimentos.

Lidhur me këtë, ministrja Lila tha se nuk dëshiron të flasë, për faktin se janë duke pritur rezultatin e analizave që do të bëhen nga ndonjë autoritet i pavarur ndërkombëtar.

Për vendimin e MTI-së, ministrja Lila pritet të flasë në interpelancë edhe në njërën nga mbledhjet e rregullta të Kuvendit.

Në këtë mbledhje, komisioni shqyrtoi edhe Projektligjin për komunikimet elektronike. Pas debatit, komisioni vendosi që  Projektligjin për komunikimet elektronike ta procedojë tutje në harmoni me Rregulloren e Punës së Kuvendit. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)