Zharku dorëzon pyetësorin për marrëdhënie tregtare me BE
Prishtinë, 7 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takimin e Këshillit Ndërministror për pyetësorin për Marrëdhënie Tregtare me Bashkimin Evropian ka deklaruar se procesi i integrimeve vazhdon të jetë synim, por edhe sfidë dhe prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Kryesuesi i këshillit ndërministror për pyetësorin për marrëdhënie tregtare me BE-në, Lutfi Zharku, ia dorëzoi sot kryeministrit Hashim Thaçi draftin e parë të përgjigjeve në këtë pyetësor.
Kreu i qeverisë, Thaçi, tha se kjo mundësi që BE-ja ia ka dhënë Kosovës është unike, por edhe përgjegjësi për shtetin që ti përgjigjet këtij procesi. Komentet ai i bëri në mbledhjen e këshillit ndërministror.
Këshilli ndërministror për marrëdhënie tregtare me Bashkësinë Evropiane, ka hartuar përgjigjet në pyetësorin e Komisionit Evropian një javë para afatit zyrtar për dorëzimin e tyre. Kryeministri Thaçi, tha se kjo mundësi që i është dhënë Kosovës nga shtetet e Bashkësisë Evropiane është unike, por në të njëjtën kohë edhe përgjegjësi për Kosovën si shtet që ti përgjigjet këtij procesi.
Ai ka theksuar se: Me marrjen e pyetësorit, i kemi edhe rezultatet konkrete të rrugës së integrimeve. Kjo mundësi është dhënë nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, është unike, pa dallim dhe është për admirim, por në të njëjtën kohë është edhe përgjegjësi për ne si shtet që të përgjigjemi konkretisht këtij procesi.
Integrimi në Bashkimin Evropian ka qenë, është dhe do të mbetet një sfidë jashtëzakonisht e rëndësishme, qëllim i yni he natyrisht kërkon përgjegjësi, kërkon edhe kohë edhe përkushtim të gjithanshëm. Në këtë drejtim, ne kemi përkushtimin tonë të plotë por edhe mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian dhe gjithë botës demokratike. Kërkohet angazhim i plotë, serioz, profesional i politikës mund të them gjithë kosovare sepse është qëllim i gjithë i politikës i institucioneve kosovare po ashtu edhe qytetarëve të vendit pa dallim etnie, është shprehur Thaçi.
Shefi i ekzekutivit, Thaçi tha se pyetësori për marrëdhënie tregtare me BE-në është një përgjegjësi shtesë, ndërkaq drafti i përgjigjeve që janë përgatitur tashmë, dëshmon seriozitetin e qeverisë dhe këshillit ndërministror.
Ne në ditët në vijim kërkohet që të punohet vazhdimisht me një angazhim maksimal dhe i gjithë potenciali tjetër shtesë, në mënyrë që zyrtarisht të dorëzohet pyetësori, në mënyrën më të plotë më profesionale dhe të mundshme. Në këtë drejtim do ët konsultohemi me Komisionin Evropian dhe ekspertët e tyre, tha kryeministri.
Nga ana tjetër ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, tha se pyetësori është ndarë në tetë fusha, që kanë të bëjnë me mekanizmat që rregullojnë tregtinë, rregullativa ligjore, doganat, barrierat tarifore e jotarifore, me prokurimin publik, fushën e konkurrencës etj. Sipas tij, autoritetet vendore përveç përshkrimit të gjendjes reale, kanë paraqitur edhe aktivitetet në të ardhmen.
Janë 217 pyetje të cilat mund të ndahen në nënpyetje që mund të jenë 500-600 pyetje kemi përshkruar gjendjen reale të cilën e kemi në ekonomi. Hapi i parë është pyetësori, hapi i dytë, me 26 ose 27 prill, ne e kemi takimin sektorial për tregun e brendshëm ku do të diskutohet për marrëdhëniet tregtare natyrisht edhe për pyetësorin, thotë ministri Zharku.
Gjatë hartimin të përgjigjeve, qeveria është konsultuar edhe me komunitetin e biznesit. Berat Rukiqi, sekretar i Odës Ekonomike të Kosovës tha se kanë zhvilluar disa konsultime në kuadër të këshillit për ndërmarrje të vogla e të mesme:
Kanë qenë konsultime të karakterit informues. Realisht është përgjegjësi e institucioneve që të përgjigjen. Është një pjesë që e përfshin tregun e brendshëm sidomos aspektet që lidhen me doganat, me tatimet, me rregullativën e brendshme të aspektit tregtar, marrëdhëniet tregtare me vendet tjera, thotë Rukiqi.
Ndryshe, pyetësorët për marrëdhënie tregtare, Komisioni Evropian ua ka dorëzuar të gjitha vendeve të Ballkanit, me qëllim të harmonizimit të politikave për liberalizim të tregtisë. Ndërkaq vlerësimi i gjendjes pritet të paraqitet në raportin e progresit që do të publikohet ne vjeshtë.