Zgjedhet Kryetari i ri i Odës Tregtare Kosovaro Turke
Kuvendi i Odës miratoi ndryshimet në Statutin e saj, duke mundësuar kësisoj avancimin e reformave dhe ristrukturimit të Odës në vitet në vijim.
Më tej, pas dorëheqjes së parashtruar para anëtarëve nga ish-Kryetari i Odës, z. Bahadır Aksoy, Kuvendi i Odës zgjedhi udhëheqësinë e re me mandat dyvjeçar.
Kryetar i Odës Tregtare Kosovaro Turke u zgjedh z. Ayhan Albeyoğlu, Anëtar i Bordit dhe Drejtor Menaxhues i TEB Bank sh.a. në Kosovë.
Albeyoğlu, i lindur në Izmir të Turqisë në vitin 1966, ka përvojë mbi njëzetvjeçare në pozita të larta udhëheqëse në sektorin bankar dhe është emëruar Anëtar i Bordit dhe Drejtor Menaxhues i TEB Bank sh.a. në vitin 2013, pozitë të cilën e mban edhe aktualisht.
Më pas, në pajtim me dispozitat e Statutit të ri, Kuvendi miratoi përbërjen e re të Bordit të Drejtorëve të Odës Tregtare Kosovaro Turke, strukturës më të lartë ekzekutive të Odës.
Gjatë këtij mandati, në Bordin e Drejtorëve të Odës do të jenë të përfaqësuar anëtarët në vijim: TEB sh.a., Atlantik Group, BKT, İş Bank, KEDS, Kosova e Re, Limak, Marigona Residence, Newco Balkan, Turkish Airlines, Universal Food, Ziraat Bankası dhe Meridian Corporation.