Vendimi për çimenton ndryshon në këtë javë
Prishtinë, 23 korrik - Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja për Tregti dhe Industri, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se janë duke punuar rreth ndryshimit të tarifës së importimit të çimentos, që më parë u vendos të ishte 35 për qind.
Kusari-Lila ka thënë për Epokën e re se vendimi do të ndryshohet, por do ta ruajë bilancin e duhur në treg. Ajo nuk ka dashur të tregojë se sa do të jetë zbritja e tarifës.
Besoj se mbi këtë bazë, çfarëdo vendimi që do të jetë, ai do të mirëpritet nga të gjithë aktorët, ka thënë Kuasari-Lila. Ajo ka përsëritur se vendimi për taksën mbi çimenton ka qenë vendim i cili vazhdimisht është prezantuar si i përkohshëm. Është konform ligjit mbi masat mbrojtëse në importe, dhe ashtu siç e kemi deklaruar në seancën e Kuvendit, vendimi do të modifikohet, gjegjësisht do të ketë një ndryshim në vendimin fillestar për të ofruar një konkurrencë të lirë në treg, e gjithsesi për të mbajtur edhe një mbrojtje të interesave te prodhuesit vendorë, ka theksuar ajo.
Ajo ka deklaruar edhe një herë se me këtë vendim nuk është cenuar marrëveshja e CEFTA-s.
E kemi informuar edhe sekretariatin. Me ligjin në Kosovë parashihet që mund të merret një vendim i tillë, pastaj të konsultohen të gjitha palët e përfshira, ka thënë ajo.
Vendimi, sipas Kusari-Lila, ka pasur një synim: mbrojtjen e prodhimit vendor dhe ndalimin e eskalimit të çimentos së importuar në masën sa ka qenë: mbi 1 000 për qind për 1 vit e gjysmë.