Vendet e Gjirit blejnë armë në vlerë 40,8 miliardë dollarë nga ShBA

Washington, 5 janar - Vendet e Gjirit Persik blejnë armë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me qëllim të përforcimit të mbrojtjes së tyre.
Departamenti amerikan i Shtetit gjatë dy muajve të fundit miratoi shitjen e armatimit për Kuvajtin, Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në vlerë 40,8 miliardë dollarë.
Pas miratimit në nëntor të vitit të kaluar të kërkesës së Kuvajtit për blerjen e 28 avionëve luftarak të tipit Boeing F/A-18 Super Hornet në vlerë 10 miliardë e 100 milionë dollarë, në dhjetor u miratua edhe shitja e pajisjeve përcjellëse për tanket të tipit Abrams 218 M1A2.
Gjatë dhjetorit Kuvajti gjithashtu bleu edhe 250 pajisje të kombinuara për municione të drejtpërdrejta për bombat e telekomanduara të ashtuquajtura Bomba të verbër në vlerë 37 milionë dollarë.
Edhe Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe blenë helikopter transportues dhe sulmues në vlerë të përafërt.
Kërkesa e Arabisë Saudite për helikopter transportues të tipit Chinook 48 CH-47F në vlerë 3 miliardë e 500 milionë dollarë u miratua nga ana e Departamentit amerikan më 7 dhjetor.
Në datën e njëjtë departamenti në fjalë miratoi shitjen e 28 helikopterëve sulmues të tipit Apache AH-64 për Emiratet e Bashkuara Arabe në vlerë 3 miliardë e 510 milionë dollarë.
Ndërkaq Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë vitit të kaluar bënë shitje të pajisjeve të ndryshme për këto dy vende në vlerë 2 miliardë dollarë.
Të gjitha shitjet e armëve të miratuara nga Departamenti amerikan i Shtetit realizohen pas hetimeve dhe miratimit nga ana e Kongresit.