Vazhdon rritja e tregtisë së jashtme kineze
Pekin, 11 prill - Zëdhënësi i Administratës së Përgjithshme Doganore të Kinës Zheng Yuesheng ka thënë se tregtia e jashtme e Kinës ka vazhduar prirjen e rritjes të nisur që nga tremujori i katërt i vitit të kaluar.
Sipas të dhënave statistikore, në tre muajt e parë të sivjetshëm, vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit të Kinës i kaloi 6 trilionë juanët, duke shënuar një suficit prej 270 miliardë juanësh.
Zëdhënësi Zheng bëri të ditur se Kina ka pasur rritje të tregtisë me ShBA-në dhe vendet e ASEAN-it, por ulje me Bashkimin Europian, Korenë e Veriut dhe Japoninë.
Ndër këto të fundit, vëllimi i tregtisë së Kinës me Japoninë, partneren e saj të pestë tregtare, është ulur me 10.7 %.
Lidhur me këtë ulje, Zheng Yuesheng shpjegon: \"Për sa i përket eksportit, për arsye se Japonia filloi zbatimin e politikës së emetimit të parave, zhvlerësimi i monedhës japoneze dobësoi epërsinë e produkteve kineze në treg. Kurse, nga ana e importit, ulja arriti në 16.6 %, për shkak të ndikimit të mosmarrëveshjes politike kino-japoneze për të drejtën e sovranitetit të ishujve përkatës.\"
Sipas Zheng, ka faktorë të tjerë pozitivë që mund të zëvendësojnë rënien e tregtisë së jashtme të Kinës me Japoninë.
\"Me rigjallërimin e ekonomisë amerikane dhe zbutjen e krizës së borxheve sovrane në Bashkimin Europian, tregtia e Kinës me këto vende pritet të ecë përpara. Po ashtu, zhvillimi i disa tregjeve të reja, i vendeve të BRICS-it, të Afrikës dhe Amerikës Latine, do të mbështesë fort rritjen e tregtisë së jashtme të Kinës,\" u shpreh zëdhënësi i Administratës së Përgjithshme Doganore të Kinës Zheng Yuesheng.