Vazhdon rritja e investimeve te huaja në Kinë
Pekin, 5 qershor - Vëllimi i investimeve të huaja në Kinë në 2012-n e kaloi për të tretin vit radhazi vlerën e 100 miliardë dollarëve amerikanë.
Ndërkohë, deri në prillin e sivjetshëm, Kina ka tërhequr gjithsej 1.3 trilionë investime të huaja, duke zënë vendin e dytë në botë në këtë drejtim.
Të dhënat u bënë të ditura të martën në një konferencë shtypi në Pekin nga zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë Yao Jian.
\"Gjatë tre muajve të kaluar, investimet e huaja kanë ardhur duke u rritur nga muaji në muaj, fakt ky që tregon aftësinë konkurruese të ekonomisë kineze dhe besimin e investorëve të huaj te vendi ynë\", shtoi z. Yao.
Përveç shtimit të thithjes së investimeve të huaja, është përmirësuar më tej edhe struktura e fushave ku janë bërë këto investime.
Sipas zëdhënësit Yao, vitin e kaluar sektori i shërbimeve tërhoqi gati gjysmën e shumës së përgjithshme të investimeve të huaja, duke e kaluar për të dytin vit radhazi sektorin e manifakturës.
Ndërsa, po shtohen edhe investimet në sektorin e manifakturës të cilësisë të lartë, si prodhimi i mjeteve të transportit etj.
Për sa u përket këtyre arritjeve, Yao Jian u shpreh se ato janë të pandara nga hartimi i politikave më të qarta nga qeveria kineze dhe përmirësimi i mjedisit të brendshëm për shfrytëzimin efektiv të investimeve të huaja.
Ato kanë ardhur gjithashtu edhe nga përsosja e vazhdueshme e rregullave dhe sistemeve për administrimin e investimeve të huaja.
Në vijim, pritet të nisë edhe puna për rishikimin e tre ligjeve kryesore për shfrytëzimin e investimeve të huaja, që synojnë administrimin brenda së njëjtës kornize ligjore të kompanive kineze dhe të atyre me investime të huaja.
Lidhur me njoftimet e disa mediave për uljen e fitimeve të sipërmarrjeve me investime të huaja në Kinë, zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë Yao Jian tha: \"Kina është ende një ndër destinacionet kryesore të investimeve.
Mund të marrim dy shifra si shembull: 86% e firmave të Bashkimit Europian planifikojnë të zgjerojnë biznesin në Kinë.
Ndërkohë, 68 % e kompanive amerikane ende e konsiderojnë Kinën si një ndër tre vendet e para në botë për investime. Shifra të tilla mund të pasqyrojnë mundësinë dhe aftësinë konkurruese të Kinës\".