Vazhdon përkrahja financiare e bizneseve

Prishtinë, 4 maj - Të gjithë ndërmarrësit potencialë, studentë të universitetit publik dhe kolegjeve private, si dhe individë tjerë të cilat kanë ambicie të zhvillimit të rritjes së ndërrmarrësisë së tyre për të bërë biznes kanë një shans të mirë për të realizuar ëndrrën e tyre për tu bërë ndërmarrës.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përkatësisht Agjencia e Investimeve dhe për Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë do të përkrah financiarisht ndërmarrësit potencialë (individët, veçanërisht studentët) që kanë biznes planin e tyre.
Konkursi është i hapur për Garën e Biznes Planeve andaj ftoj të gjithë ndërmarrësit potencialë, veçanërisht studentët që nuk kanë regjistruar biznes por të cilët kanë ambicie të zhvillimit të ndërmarrësisë së tyre, bazuar në standardet e BE-së që të konkurrojnë me biznes planet e tyre në këtë konkurs, ka thënë ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj.
Sipas tij, ky është një shans i mirë për të fituar ndonjërin nga shpërblimet që ofrohen nga Agjencia e Investimeve dhe Përkrahjes së Ndërmarrjeve.
Dhjetë biznes-planet më të vlerësuara nga juria profesionale do të shpërblehen me nga 5,000 euro, të cilat mund të tërhiqen pas regjistrimit të biznesit, ka theksuar Nikaj.
Të drejtë aplikim në këtë konkurs kanë kategoritë e të gjithë ndërmarrësve potencialë studentët e Universitetit Publik, kolegjeve private, dhe individëve tjerë të cilët kanë ambicie të zhvillimit të rritjes së ndërmarrësisë së tyre për të bërë biznes.
Vlerësimi i biznes planeve më të mira do të bëhet nga një juri profesionale duke ju dhënë përparësi kritereve si: ideja e elaboruar dhe praktikisht e zbatueshme e Planit të Biznes, resurse njerëzore dhe materiale për jetësim e Planit të Biznesit, kostoja e fillimit të biznesit nën 50 mijë euro.
Për të aplikuar në këtë konkurs nevojitet formulari për konkurrim ( i cili mund të merret në web faqen e MTI-së ose APIK-ut), kopja e dokumentit identifikues si dhe Biznes plani i punuar në të gjitha elementet e strukturës së bashkangjitur formularit për aplikim.
Afati i fundit për aplikim është data 15 Maj 2014. Për çdo paqartësi apo informatë shtesë mund të drejtoheni në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Agjencinë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve, në ueb faqen e ministrisë www.mti-ks.org apo përmes email adresës, [email protected].