Vazhdon paqëndrueshmëria e tregjeve të aksioneve
New York, 12 gusht - Tregjet e aksioneve vazhdojnë të jenë të paqëndrueshme. Në pak ditë, shqetësimet rreth niveleve të borxhit publik në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë i kanë fshirë të gjitha fitimet që investitorët realizuan në bursë gjatë këtij viti.
Frika është se ekonomia globale po shkon ndoshta drejt një tjetër recesioni. Investitorët janë të shqetësuar, pavarësisht nga deklarata e Rezervës Federale amerikane se do të vazhdojë ti mbajë normat e interesit në shifra rekord të ulta për dy vitet e ardhshme.
Eksperti i bursës, Keith Bliss thotë se shumë njerëz e shohin deklaratën e Rezervës Federale si pranim të faktit se bankës qendrore më të fuqishme në botë po i mbaron municioni.
"Rezerva Federale nuk ka më mjete. Është si në filmat e Hollivudit, kur dikush i ka përdorur të gjithë plumbat dhe e vetmja gjë që i mbetet është të hedhë armën."
Por zoti Bliss thotë se ngadalësimi ekonomik nuk është e vetmja gjë që po i trondit tregjet.
"Tregu është bërë tepër i ndjeshëm. Reagon ndaj çdo gjëje, madje edhe ndaj thashethemeve. Kur u hap fjala se firma S & P do të ulte klasifikimin për kreditin e Francës, menjëherë pati thashetheme se disa banka franceze dhe gjermane janë në vështirësi për shkak të borxhit të madh të tyre."
Sipas disa ekspertëve, perspektiva e dobët ekonomike në Shtetet e Bashkuara e kombinuar me mundësinë e një tjetër krize të borxhit në Evropë, është receta për një recesion të ri. Eksperti financiar Jon Henes i tha Zërit të Amerikës se edhe ilaçi që po ofrohet është plot rreziqe.
"Ne kemi një problem të borxhit në Shtetet e Bashkuara dhe po ashtu në Evropë. Për të dalë nga një borxh duhet të pakësosh borxhin po kjo nga ana e saj ul rritjen ekonomike."
Është një ilaç i hidhur për shumë amerikanë, të cilët po shohin se si humbjet e tregut po gërryejnë pensionet e tyre.
"Na duhet të kemi besim dhe të bëjmë më të mirën që mundemi por perspektiva duket e frikshme, thotë një grua."
Në Wall Street, disa tregues të rëndësishëm të bursës kanë rënë më shumë se 20 për qind që nga muaji prill. Nëse nuk ka një kthesë së shpejti, analistët thonë se kjo mund të sinjalizojë fillimin jozyrtar të një një tregu në tërheqje.