Vazhdojnë negociatat tregëtare SHBA - Kinë
Pekin, 18 janar - Zëvendës kryeministri kinez Liu Hë, pritet të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara këtë muaj për raundin e dytë të negociatave që synojnë zgjidhjen e luftës tregtare mes gjigantëve ekonomikë botërorë.
Zëdhënësi i ministrisë së Tregtisë Gao Feng u tha gazetarëve në Pekin se Liu Hë do të vizitojë Washingtonin nga 30 deri në 31 janar.
Ai është ftuar nga sekretari amerikan i Thesarit Steven Mnuchin dhe përfaqësuesi i Tregtisë Robert Lighthizer.
Negociatorët amerikanë u shprehën optimistë pas raundit të parë të bisedimeve të zhvilluara në Pekin javën e kaluar se palët do të arrijnë t’i zgjidhnin mosmarrëveshjet lidhur me tarifat që kanë tronditur tregjet globale.
Bisedimet tregtare vijnë si rezultat i një marrëveshje të arritur muajin e kaluar mes Presidentit Trump dhe atij kinez Xi Jinping për të pezulluar tarifat ndërmjet dy vendeve për 90 ditë, duke filluar prej vitit të ri.
Nëse nuk arrihet asnjë marrëveshje deri më 2 mars, tarifat amerikane ndaj mallrave kineze me vlerë prej 200 miliardë dollarësh, do të rriten nga 10 në 25 për qind.