26 Dhjetor 2024

Uragani Harvey shkakton rritjen e çmimit të naftës

New York, 29 gusht - Parashikimi për çmimin e tregëtimit të benzinës në ardhmen u rrit me 7 për qind, niveli më i lartë i dy vjetëve të fundit, pasi investitorët llogarisnin se mbyllja e disa rafinerive dhe objekteve të tjera mund të krijojë mungesa në treg.

Ekspertët e sigurimeve thonë se dëmet e shkaktuara nga uragani Harvey ndaj shtëpive dhe ndërtesave të tjera mund të arrijnë në miliarda dollarë.

Mediat amerikane thonë se disa rafineri me kapacitet rreth dy milionë fuçi nafte në ditë janë jashtë funksionit. Disa ekspertë thonë se çmimi i benzinës mund të rritet me 7 centë për litër.

Rreth një e pesta e prodhimit të naftës në det gjithashtu është ndërprerë pasi kompanitë evakuuan personelin para se të fillonte stuhia e rrezikshme. Po ashtu edhe një pjesë e sistemit të transportimit të naftës është mbyllur.

Erërat e shkaktuara nga uragani Harvey arritën shpejtësinë mbi 200 kilometra në orë. Stuhia solli reshje të mëdha shiu duke shkaktuar përmbytje historike dhe dëme të mëdha.Shirat e mëdha pritet të vazhdojnë për disa ditë dhe nuk është e qartë se sa kohë do të nevojitet për rënien e nivelit të ujrave që do të krijonin kushtet për rihapjen e rafinerive të naftës.

Ende nuk është i qartë niveli i dëmit në infrastrukturën kritike të industrisë së energjisë dhe se sa kohë do të duhet për të rikthyer kapacitetin e plotë të prodhimit.

Më shumë se gjashtë milionë njerëz jetojnë rreth zonës së Hjustonit, qyteti më i madh i goditur nga stuhia. Shumë njerëz u larguan para stuhisë, mijëra të tjerë u shpëtuan dhe dhjetëra mijëra po largohen nga shtëpitë e përmbytura.

Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave thotë se 450,000 njerëz pritet të kërkojnë ndihmë financiare nga qeveria për shkak të kësaj katastrofe natyrore.

Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara, (Banka Qendrore), thotë se bankat duhet të përpiqen të ndihmojnë bizneset dhe të tjerët që kanë vështirësi të shlyejnë kreditë për shkak të stuhisë. Rezerva Federale thotë se përpjekjet për të punuar me "huamarrësit nën vështirësi" mund të jenë në përputhje me praktikat "e sigurta dhe të shëndosha" bankare dhe në interes të publikut.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)