Unifikimi i tregut Kosovë Shqipëri fuqizon ekonominë kombëtare
Tiranë, 11 prill - Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, mori pjesë në takimin: Bashkëpunimi ekonomik-tregtar Kosovë-Shqipëri sot dhe nesër në Tiranë të organizuar nga Ambasada e Kosovës.
Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues të lartë nga ministritë e punëve të jashtme të Kosovës e Shqipërisë, ata të doganave, të nga agjencive të ushqimeve e veterinës, ata të tatimeve përfaqësues të bizneseve të dy vendeve.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, tha se janë pajtuar bashkërisht të gjithë, që problemet të cilat janë në kufij të tejkalohen dhe të plotësohen standardet e importit e eksportit.
Sipas tij bizneset duhet ti nënshtrohen rregullave të importit të ushqimit dhe kontrollit.
Në të ardhmen u pajtuam dhe besojmë se nuk do të ketë barriera tarifore apo jo tarifore, nuk do të ketë çmime të ndryshme favorizuese apo shantazhuese. Nuk do të ketë ndalesa apo përparësi për prodhimet e ndryshme dhe do të trajtohen të gjitha njëjtë, pa preferenca tregtare, sepse këtë e rregullon edhe Kushtetuta e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, tha Agim Shahini.
Kryetari i AKB-së, shtoi se pengesat sporadike në të kaluarën ishin individuale dhe për teke politike. Sipas tij bizneset duhet të marrin iniciativa më shumë, të shkëmbejnë më shumë mallra, në mënyrë që të rritet fuqia konkurruese e përbashkët dhe jo si e ndarë.
Ai shtoi se ky është vizion i ekonomistëve e bizneseve të Kosovës dhe Shqipërisë dhe këtë duhet ta ndihmojnë institucionet shtetërore të dy vendeve, të krijojnë politika sa më të favorshme për të zhvilluar veprimtaritë vendëse. Duke rritur fuqinë prodhuese e konkurrese do të marrim edhe tregjet tjera.
Na gëzon fakti se Kosova e zë vendin e parë sa i përket eksportit me Shqipërinë, por duam që edhe të importojmë më shumë nga Shqipëria, gjë e cila nuk po ndodh. Duhet që të gjithë të konsumojmë prodhime shqip, por edhe institucionet e dy vendeve, duhet të krijojnë politika sa më të mira, më konkurrues edhe më unifikuese, të cilat do të rritin shkëmbimet tregtare dhe zhvillimin ekonomik të gjithë kombit shqiptar.
Sylejman Selimi, ambasador i Kosovës në Shqipëri, tha se politika shqiptare në përgjithësi si ajo e Kosovës dhe kjo e Shqipërisë është një politik shumë e hapur, vëllazërore dhe e gjithanshme. Sipas tij ka ligje jashtëzakonisht të mira, mirëpo duhet zbatim të tyre. Disa herë ka pasur keqkuptime të ndalesave të prodhimeve ku rasti i fundit ishte ai i miellit dhe këto barrierat dhe problemet janë të papranueshme dhe të gjitha ato duhet të tejkalohen.
Naim Huruglica, drejtor i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, tha se ka marrëdhënie jashtëzakonisht të mira me Doganën e Shqipërisë dhe u diskutua si të thellohen edhe më shumë.
Sipas tij kohëve të fundit ishin disa njoftime për pengesa apo vështirësi të qarkullimit në mes dy vendeve, por më shumë i është dhënë konotacion negativ, sesa kishte diçka serioze.
Duhet të punojmë bashkërisht që të lëvizim përpara nivelin e bashkëpunimit. Pikë kalimi kufitar Kosovës Shqipëri është një fyt i ngushtë me infrastrukturë, por së shpejti do të zgjerojmë që të ketë më shumë lehtësira të qarkullimit, tha kryedoganieri i Kosovës.
Naim Huruglica, tregoi se është përgatitur sistemi elektronik në kohë rekorde dhe me të dhëna jemi shumë te shpejt dhe në të ardhmen ai vendkalim të jetë vetëm i thjeshtë dhe se procedurat do të kryhen brenda territoreve e jo të presin në kufijë.
Nuk do të ketë tollovi e pritje të maunave në kufij, siç ka pasur më parë. Dhamë zotime që të ngritim më tutje bashkëpunimin dhe se tregu shqiptar e kosovar të bëhet si një i vetëm dhe të mos konsiderohen më si pengesa, tha Huruglica.
Flamur Gjymishka, drejtor i Doganës së Shqipërisë, tha se ishte një takim i rëndësishëm ku u shkëmbyen mendime e ide për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Ai shtoi se janë analizuar problemet që ishin dhe tashmë janë të tejkaluara , por u akorduam për zhvillim dhe forcimin e bashkëpunimit.
Së shpejti do të heqim radhët që ekzistojnë në doganat tona dhe do përpiqemi që të krijojmë lehtësira sa më të shumta për bizneset, që të mos ndalohen në pikat kufitare, por obligimet ti kryejnë nga bizneset e tyre, tha kryedoganieri shqiptar.
Sipas tij nëpërmjet unifikimit të të dhënave elektronike do të mundësohet që të jepet informacioni, i cili do të mundësoi që dy doganat të kenë informacionet e nevojshme. Flamur Gjymishka, shtoi se do të mundësojnë që bizneset dhe qytetarët e dy shteteve të kenë kosto sa më të ulët të kalimit nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas.