Ulet vlera e euros kundrejt dollarit dhe paundit britanik
Bruksel, 7 korrik - Tregjet evropiane dhe ato aziatike të aksioneve ranë që të gjitha pas votës jo të grekëve në referendumin e së dielës.
Bindja e përgjithshme se pas këtij zhvillimi, Greqia mund të dalë nga zona e monedhës së përbashkët ka bërë që euro të pësojë një rrëshqitje me 0.4% të vlerës kundrejt dollarit amerikan dhe 0.5% ndaj paundit britanik.
Indeksi i Japonisë, Nikkei pësoi humbje në nivelin 2%, CAC-40 e Parisit dhe Dax-i i Gjermanisë, që në hapje ishin me humbje, përkatësisht 2.1 dhe 1.9%, një reagim ky më i fortë se parashikimi.
Në Londër, FTSE 100 u rudh me 1%. Të dielën, Banka e Greqisë deklaroi se planifikon ti paraqesë një kërkesë zyrtare Bankës Qendrore Evropiane për një ndihmë të re.
Pa fondet e emergjencës së BQE-së shtohet frika se bankat greke brenda disa ditësh mund të mbeten pa para kesh, çka me të gjitha gjasat do ta detyronte qeverinë të presë një tjetër monedhë për të paguar rrogat e pensionet.
Disa zyrtarë evropianë megjithatë kanë paralajmëruar se kreditorët mund ta përkthejnë votën jo si refuzim të palës greke për bisedime të mëtejshme.