Ulet eksporti i mallrave të Kosovës

Prishtinë, 25 shtator - Eksportet vendore kanë rënë ndjeshëm gjatë pjesës së parë të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Kjo ka ndodhur për shkak të krizës botërore që ka goditur industrinë e metaleve, pasi Kosova eksporton kryesisht metale dhe minerale, thonë zyrtarë të institucioneve dhe ndërmarrjeve eksportuese. Ndërkaq, importet kanë vazhduar të jenë të mëdha, duke thelluar deficitin tregtar.
Pëson ulje edhe më tej eksporti i mallrave të Kosovës, përderisa importi vazhdon të jetë shumë i lartë. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore, gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti eksportet kanë rënë rreth 24.4 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Dy eksportuesit më të mëdhenj të Kosovës vazhdojnë të jenë Ferronikeli dhe Trepça, që eksportojnë metale.
Ndërmarrja Ferronikeli në Drenas në vitin 2009 ka eksportuar mbi 6 mijë e 300 tonë, në vitin 2010 8 mijë e 800, kurse vitin e kaluar 9 mijë e 100 tonë metale. Zëdhënësi i Ferronikelit, Shpëtim Ukaj, thotë se sivjet kanë eksportuar shumë më pak.
Sasia e eksportit të gjashtëmujorin e parë ka qenë përafërsisht 3 mijë e 400 tonë, vitin e kaluar ka qenë 4 mijë e 900 tonë, pra, apo rreth 1 mijë e 500 tonë më pak. Kjo kryesisht ka ndodhur për shkak të krizës ekonomike globale, që ka goditur industrinë e metaleve, thotë Ukaj.
Drejtori i Doganës, Naim Huruglica, thotë se ka rënie të eksportit, jo të vëllimit të tij, por kryesisht për shkak të çmimit.
Eksportet kanë pasur rënie, dhe arsyetimi kryesor është çmimi i ultë i mineraleve dhe metaleve në tregun botëror. Eksportuesi kryesor është Ferronikeli, pas tij vjen Trepça, dhe çmimet e nikelit në treg kanë qenë të ulëta në krahasim me vitin e kaluar. Realisht volumi nuk ka qenë shumë më i ultë, por vlera ka qenë dhe e ka goditur drejtpërdrejt, theksoi Huruglica për Radio Kosovën.
Zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Arta Istrefi thotë se në periudhën janar korrik të këtij viti shkëmbimet tregtare kanë arritur vlerën prej 1 miliard e 500 milionë euro, ku kontributi i eksporteve në volumin tregtar është rreth 160 milionë euro, kurse importi 1 miliardë e 537 milionë.
Vërehet se kemi një disbalancë tregtar dhe Kosova tash e disa vjet vuan nga ky disbalancë. Ajo çfarë jemi duke bërë ne si Ministri e Tregtisë është përmirësimi i ambientit për të bërë biznes si dhe lehtësirat tregtare, në mënyrë që bizneset kosovare të fokusohen më tepër në prodhim.
Ndryshe shkëmbimet tregtare gjatë vitit të kaluar kanë qenë në vlerë prej 2 miliardë e 800 milionë euro, ku eksporti ka qenë 319 milionë, përderisa importi rreth 2 miliard e 492 milionë euro.
Ndërkaq në vitin 2010 shkëmbimet arrinin vlerën 2 miliardë e 450 milionë, ku eksportet ishin vetëm 296 milionë kurse importet 2 miliardë e 100 milionë euro.
/rtk/