Turqia thith me miliarda dollarë investime të huaja
Ankara, 19 mars - Turqia vazhdon të jetë një destinacion i preferuar për investitorët e huaj.
Pavarësisht sulmeve terroriste që kanë ndodhur kohët e fundit, shumë firma të huaja nuk hoqën dorë nga Turqia.
Gjatë 3 muajve të fundit investitorët e huaj vendosën të investojnë me miliarda dollarë në Turqi, në sektorë kritikë siç janë turizmi, ndërtimi e transporti.
Jo shumë larg, dy kompani të huaja përveshën dje krahët për të investuar në Turqi.
Firma franceze Servier, një nga prodhuesit më të mëdhenj të ilaçeve në botë me një xhiro vjetore prej 4 miliardë euro, ka marrë vendim për të bartur në Turqi një pjesë të prodhimit të saj në Evropën Perëndimore.
Me 21 mijë e 400 punëtorë në 146 vende të ndryshme të botës, Servier në vitin 2014 realizoi një xhiro të konsoliduar 4 miliardë euro dhe sot është kompania më e madhe e pavarur e Francës në prodhimin e ilaçeve.
Ndërkaq edhe Rheinmetall ka bërë të ditur publikisht se po përgatitet për një sipërmarrje të dytë të përbashkët (Joint Venture) për prodhimin e automjeteve me rrota në Turqi.
Antoine Bouvier, CEO-ja i firmës prodhuese të Sistemeve të Mbrojtjes Raketore, MBDA, deklaroi se kanë nisur sërish bisedimet me Turqinë për një bashkëpunim të mundshëm në fushën e mbrojtjes ajrore.
Kompania japoneze e prodhimit të automobilëve, Toyota bëri të ditur se në fabrikën e saj në Sakarya të Turqisë do të bëjë një investim të ri me vlerë mbi 350 milionë dollarë dhe do të fillojë këtu prodhimin e një modeli të ri.
Bombardier, prodhuesi kanadez i trenave dhe avionëve, bashkë me një ortak vendor do të marrë pjesë në projektet e mëdha hekurudhore të Turqisë dhe do të bëjë në këtë vend 100 milionë investime për transferimin e teknologjisë në prodhimin e trenave të shpejtë.
Mercedes-Benz turk kapacitetin e prodhimit në fabrikën në Aksaray do ta dyfishojë me një investim shtesë 113 milionë euro.
Koreani Hyundai ka shtypur butonin për të prodhuar në Turqi automjete të tipit SUV. Me një investim që kap shifrën e 150 milionë dollarëve kompania Hyundai Assan do të prodhojë modelin e ri SUV.
Kompania HOMES, e njohur me projektet e banesave cilësore që ka realizuar deri më tani në Gjermani, pas investimeve të para me vlerë 30 milionë euro në zonën turistike Çesme, po bëhet gati për investime të reja në Turqi.
HOMES deklaroi se në sektorin e patundshmërive do të investojë në Turqi 200 milionë euro, kurse Grupi Retaj nga Katari, një nga investitorët më të mëdhenj të vendeve të Gjirit në sektorin e turizmit, tha se në Turqi do të bëjnë 700 milionë investime.