Trump kërcënon me tarifa më të larta mbi importet kineze
Washington, 2 gusht - Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë vënien e taksës 25% mbi disa mallra kineze, në vlerë prej 200 miliardë dollarësh.
Shqyrtimi i kësaj takse, që është dyfishi i 10-përqindëshit të planifikuar fillimisht, është kërkesë e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili do që Kina t'i ndryshojë praktikat e saj tregtare.
Megjithatë, vendimi rrezikon t'i rrisë tensionet midis dy ekonomive më të mëdha në botë.
Kina tashmë ka paralajmëruar se do të hakmerret nëse SHBA ec përpara me planin dhe ka akuzuar Uashingtonin për shantazh.
"Nëse SHBA ndërmerr hapa për të përshkallëzuar më tej situatën, ne do të ndërmarrim kundërmasa për t'i mbrojtur interesat dhe të drejtat tona ligjitime", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Geng Shuang.
Shtëpia e Bardhë thotë se tarifat janë përgjigje ndaj politikave të padrejta tregtare të Kinës, të cilat, sipas Trumpit, kanë ndihmuar në krijimin e deficitit të lartë tregtar.
Raunndi i parë i tarifave ka hyrë në fuqi më 6 korrik, kur SHBA ka vënë taksë 25% në importet kineze, në vlerë prej 34 miliardë dollarësh. Kina është hakmarrë në mënyrë të ngjashme.