22 Dhjetor 2024

Tregu kinez i shtëpive, rënie e papritur e çmimeve

Pekin, 14 shtator - Kina po përpiqet të qetësojë tregun e pasurive të patundshme dhe të sigurojë investitorët se rënia e papritur e çmimeve nuk do të trondisë stabilitetin e bankave dhe ekonomisë së vendit.

Analistët thonë se nevojiten reforma të thella për të krijuar një treg më të qendrueshëm.
   
Rritja e ekonomisë së Kinës ka tërhequr miliona njerëz në qytete, duke nxitur rritjen e tregut të shtëpive dhe spekullimet me prona.

Çmimet e shtëpive në qytetet më të mëdha kanë arritur kulmin, duke rritur shqetësimet se nëse çmimet bien ato mund të dëmtojnë të gjithë ekonominë.

Për t’u përgatitur për çdo rast, qeveria urdhëroi bankat të testonin se si do t’u dilte bilanci nëse tregu i shtëpive do të pësonte një rënie prej 60 përqind.

Bei Fu, ekspert i sektorit imobiliar në agjencinë Standard and Poors, thotë se tregu imobiliar në Kinë ka lidhje të ngushtë me rritjen ekonomike dhe qeveria është e ndërgjegjshme për këtë rrezik.

“Prandaj ata janë treguar aktivë në kontrollin e tregjeve këtë radhë. Vitin e kaluar, që nga tre-mujori i dytë i 2009-ës tregu filloi të rritej shpejt. Dhe rreth tre-mujorit të fundit qeveria mori disa masa, që kanë vazhduar t’i paraqesin gradualisht deri në prill të këtij viti.”

Pekini ka filluar kufizimin e kredive bankare dhe u ka thënë kompanive shtetërore të ndalin spekullimet imobiliare.

Megjithatë, çmimet e shtëpive vazhdojnë të mbeten të larta, sidomos për të rinj si Shao Uan-Ar.

“Tani për tani është më mirë të kem një apartament me qera dhe sapo të stabilizoj të ardhurat do të blej një shtëpi. Do të pres deri në fund të vitit për të parë si do të shkojë tregu.”

Analistët imobiliarë presin që çmimet të bien të paktën 10 për qind deri në fund të vitit, por thonë se tregu ka nevojë për reforma si për shembull për taksë mbi pronën.

Kina takson shitjet dhe qeratë e pronave por jo pronësinë. Kjo bën që shumë apartamente dhe ndërtesa zyrash të mbeten bosh.

Hu Gjing-Gjyn, zëvendës president marketingu për një agjenci imobiliare, thotë se taksat e pronës do të bënin që shtëpitë të dilnin në treg më shpejt dhe të ndihmonin në stabilizimin e çmimeve.

“Nëse shet apo jep me qera duhet të paguash taksa, por pavarësisht se sa shtëpi ke, taksa nuk paguan. Ky është një ndryshim i madh mes sistemit kinez të taksave dhe atij në vende të zhvilluara dhe tregje të stabilizuara.”

Shumë analistë thonë se perspektiva e tregut imobiliar kinez nuk duket krejt e pashpresë.

Të ardhurat po rriten shpejt, por shumica e njerëzve kanë pak mundësi investimi. Ata e shohin blerjen e një banese si investim të mirë për t’i shpëtuar inflacionit.

Ndërkohë që miliona banorë të zonave rurale shpresojnë të transferohen në qytete ku paga është më e lartë.

Çështja mbetet, nëse të ardhurat do të arrijnë të ruajnë një nivel që mund të përballojë çmimet e shtëpive.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)