Tregu i punës po përmirësohet në ekonominë amerikane
Washington, 2 mars - Numri i aplikimeve për asistencë për papunësinë vazhdon të bjerë në Shtetet e Bashkuara.
Ky është një sinjal tjetër se tregu i punës po përmirësohet në ekonominë më të madhe të botës.
Qeveria tha sot se 351 mijë vetë bënë kërkesë për herë të parë për asistencë papunësie. Kjo shifër përfaqëson një rënie prej 2 mijë kërkesash krahasuar me një javë më parë.
Niveli aktual është i krahasueshëm tani me nivelin e kërkesave të 4 vjetëve më parë, pak para fillimit të krizës më të rëndë ekonomike që nga Depresioni i Madh i viteve 1930.
Megjithë këto përmirësime, rreth 13 milionë amerikanë mbeten pa punë, shumë prej të cilëve kanë qenë pa punë për një periudhë të gjatë.
Ndërkohë që ritmet e papunësisë në vend ranë në 8.3 për qind në janar, kjo shifër vazhdon të jetë mjaft e lartë për standardet amerikane.