Tregu i punës në Britani joshë emigrantët evropianë
Londër, 14 prill - Mbi 3 milionë emigrantë me origjinë nga BE-ja u regjistruan në Britaninë e Madhe në vitin 2015 ose dyfishi i atyre në 2004-n, një rritje e ndjeshme që vë kryesisht në pah kushtet e favorshme të tregut britanik të punës, sipas një raporti të publikuar sot.
Referuar këtij dokumenti të Observatorit të Zyrës së Emigracionit britanik, emigrantët me origjinë nga Polonia, Rumania, Spanja, Hungaria, Portugalia dhe Italia përbëjnë rreth 80 për qind të rritjes së regjistruar midis harkut kohor të vitit 2011 dhe 2015.
\"Nuk ekziston vetëm një faktor që ndikon në tërheqjen e emigrantëve evropianë në Britaninë e Madhe, por një kombinim faktorësh ekonomikë dhe socialë\", saktësoi Observatori, një autoritet i pavarur me seli në Universitetin e Oksfordit.
Raporti nënvizon gjithashtu se në fund të vitit 2015, 71 për qind e emigrantëve, që vijnë nga Bashkimi Evropian dhe që vendosen në Britaninë e Madhe për më pak se një vit, deklaruan se arsyeja e emigracionit ishte punësimi, ndërsa shumica prej tyre (58 për qind) bënë të ditur se kishin tashmë një perspektivë punësimi.