Tregu i letrave me vlerë me trend pozitiv të rritjes dhe zhvillimit
Prishtinë, 28 dhjetor - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se tregu i letrave me vlerë të Qeverisë së Republikës së Kosovës që nga fillimi i operimit ka treguar trend pozitiv të rritjes dhe zhvillimit.
Numri dhe vëllimi i ankandeve të letrave me vlerë ka shënuar rritje gjatë periudhës pesëvjeçare, që është reflektuar si nga oferta ashtu edhe nga kërkesa. Numri i ankandeve të realizuara u rrit nga 6 në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012 në 11 në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016. Në tri vitet e fundit, numri i ankandeve të realizuara ishte i njëjtë, mirëpo shuma e emetuar shënoi rritje, thuhet në raportin e BQK-së, të Raporti të Stabilitetit Financiar, raporton RTKlive.
Sipas BQK-së, në periudhën janar - qershor 2016, gjithsej shuma e emetuar e letrave me vlerë arriti në 250.0 milionë euro nga 210.0 milionë sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Për më tepër, fillimi i emetimit të fletë obligacioneve qeveritare që nga viti 2014 ka ndikuar në rritjen e afatit të maturimit.
Sipas BQK-së, në fund të muajit qershor 2016, afati mesatar i maturimit të letrave me vlerë u rrit në 23.5 muaj, krahasuar me 15.4 muaj në qershor 2015 dhe 11.7 muaj në qershor 2014, raporton RTKlive.
Investimet në letra me vlerë konsiderohen si instrumente atraktive dhe të sigurta për bankat dhe institucionet tjera financiare. Kjo reflektohet nga shuma e ofertuar nga subjektet pjesëmarrëse në ankande, e cila vazhdimisht ka tejkaluar shumën e shpallur nga qeveria, thuhet në raportin e BQK-së, të Raporti të Stabilitetit Financiar, raporton RTKlive.
Në gjysmën e parë të vitit 2016, shuma e shpallur në ankande ishte për 16.3 për qind më e lartë krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2015, përderisa shuma e ofertuar e subjekteve pjesëmarrësve shënoi rritje prej 67.9 për qind.
Shuma e ofertuar për investime në letra me vlerë deri në qershor 2016 ishte 552.6 milionë euro, përderisa shuma e shpallur ishte 250.0 milionë euro. Rrjedhimisht, raporti i shumës së ofertuar ndaj shumës së shpallur për periudhën janar - qershor 2016 ishte 2.21 (1.53 janar - qershor 2015) , thuhet në raportin e BQK-së, të Raporti të Stabilitetit Financiar.
Struktura e letrave me vlerë sipas llojit të instrumentit të emetuar ka pësuar ndryshime. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2016, shuma e emetuar e fletëobligacioneve përbën 36 për qind të gjithsej shumës së emetuar të letrave me vlerë krahasuar me 23.8 për qind sa ishte në gjysmën e parë të vitit 2015. Kjo për faktin se emetimi i fletëobligacioneve shënoi rritje në numër dhe në vlerë.
Këtë periudhë janë emetuar katër fletëobligacione qeveritare në vlerë prej 90 milionë euro krahasuar me tri të tilla në vlerë prej 50 milionë euro në gjysmën e parë të vitit paraprak. Ndërsa, numri i ankandeve për bono të thesarit shënoi rënie në shtatë nga tetë sa ishin në gjysmën e parë të vitit 2015, përderisa vlera e tyre mbeti e njëjtë në 160 milionë euro, thuhet në raportin e BQK-së, të Raporti të Stabilitetit Financiar, raporton RTKlive.