Tregjet ndërkombëtare të naftës të shqetësuar nga ndalesat e Iranit
New York, 23 shkurt - Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë arritur në nivelin më të larte të 9 muajve të fundit për shkak të shqetësimeve se Irani do të reduktojë akoma edhe më shumë sasinë e naftës që eksporton drejt vendeve të Evropës.
Si kusht për të vazhduar shitjen e naftës Irani kërkon nga Evropa garanci në bërjen e pagesave dhe nënshkrimin e marrëveshjeve afatmesme dhe afatgjata.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit tha se nga vendet e Bashkimit Evropian kërkojnë garanci në bërjen e pagesave dhe kontrata importi të njëanshme dhe të parevokueshme 3 deri në 5-vjeçare.
Zëdhënësi pretendoi se Bashkimi Evropian vendimin për ti zbatuar sanksione naftës iraniane e mori si pasojë e imponimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit, duke shtuar se ky vendim nuk është në interesin e Evropës.
Nga ana tjetër pas deklaratës që erdhi në fundjavë nga Irani për ndalimin e eksportit të naftës që i shet Anglisë dhe Francës çmimi i një fuçie nafte bruto të tipit Brent nisi të rritet.
Në bursën e New Yorkut çmimi për fuçi u rrit menjëherë me 1,5 dollarë duke u këmbyer me 105 dollarë, kurse në bursën e Londrës çmimi për fuçi i kaloi të 120 dollarët.
Specialistët thonë se Franca me Anglinë nuk importonin sasi të mëdha nafte nga Irani, por tregjet janë tronditur nga shqetësimet se tani radhën e kanë vende të tjera evropiane.
Analistët pohojnë se është rritur mundësia e goditjes së Iranit nga Izraeli, ndërsa parashikojnë se çmimi i një fuçie nafte mund të arrijë deri në 150 dollarë në qoftë se Irani minon ngushticën e Hormuzit.
Ndërsa kompanitë gjigande të naftës në botë mbrojnë mendimin se rritja që është shënuar këto ditë në çmimet e naftës përbëjnë një shans për Iranin për të kompensuar dëmin që i kanë shkaktuar atij sanksionet ekonomike ndërkombëtare.
Nga ana tjetër agjencia Reuters e lajmeve njoftoi se India, Kina dhe Japonia kanë në plan të reduktojnë me 10% importin e naftës që blejnë nga Irani.