Tregjet e naftës do ti rikthehen normalitetit
Riad, 21 dhjetor Ministri saudit i Naftës, Ali al-Nuaimi u shpreh i bindur se çmimi i naftës do të rritet dhe ia atribuoi uljen e çmimeve mungesës së bashkëpunimit të vendeve jo anëtare të OPPEC-ut.
Jam i bindur se tregjet e naftës do ti rikthehen normalitetit dhe se çmimet do të rriten, deklaroi Nuaimi, vendi i të cilit është në krye të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), para një forumi për energjinë të mbledhur në Abu Dhabi.
Ministri i Emirateve të Bashkuara Arabe i Energjisë, Suhail al-Mazroui konfirmoi nga ana e tij se prodhimi i lartë në vendet prodhuese jo anëtare të OPEC-ut ishte origjina e uljes së çmimeve.
Një prej arsyeve kryesore të uljes së çmimeve të naftës është prodhimi i papërgjegjshëm nga disa prodhues jashtë organizatës së OPEC-ut, theksoi ministri para forumit.
Çmimi i arit të zi ka humbur 50 për qind të vlerës që prej mesit të muajit qershor, si pasojë e sasive të mëdha, riforcimit të dollarit dhe uljes së kërkesës në kuadër të ngadalësimit ekonomik ndërkombëtar.
OPEC-u vendosi në fund të muajit nëntor të ruajë tavanin e prodhimit me 30 milionë fuçi naftë në ditë, gjë që ka ndikuar në uljen e çmimeve.