Tregjet e aksioneve pësuan humbje historike
New York, 1 prill - Tregjet e aksioneve në gjithë botën kanë pësuar humbje historike në tre muajt e parë të këtij viti, për shkak të situatës së krijuar e pandeminë e koronavirusit.
Indeksi Dow Jones, një tregues kyç i tregut të aksioneve në SHBA, ka rënë për 23 për qind – çfarë është rënia më e madhe në një tremujor që nga viti 1987.
Ngjashëm ka ndodhur edhe me indeksin e Londrës, FTSE 100, i cili ka rënë për 25 për qind.
Indeksi S&P 500, i cili mat performancën e aksioneve të 500 ndërmarrjeve të mëdha, të listuara në bursat në Shtetet e Bashkuara, ka humbur 20 për qind të vlerës gjatë tremujorit të kaluar – çfarë paraqet rënien më të madhe qysh në vitin 2008.
Dobësimi vjen pasi autoritetet kanë urdhëruar ndalimin e shumicës së aktiviteteve, në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit.
Ekonomistët kanë paralajmëruar se goditja në ekonominë globale ka të ngjarë të jetë më e keqe sesa kriza financiare e 2008-ës.
"Mbetemi shumë të shqetësuar për parashikimin negativ të rritjes globale në vitin 2020”, ka thënë shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva.