Tregjet e aksioneve në Kinë shënojnë rritje
Pekin, 26 shkurt - Në Kinë, tregjet e aksioneve u mbyllën me një rritje të konsiderueshme të hënën, pasi Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se po e shtynte vendosjen e tarifave të reja tregtare ndaj Kinës, për shkak të siç u shpreh ai, “përparimit të rëndësishëm” në bisedimet tregtare mes zyrtarëve të dy ekonomive më të mëdha të botës.
Presidenti kishte caktuar 1 marsin si datën për rritjen e tarifave ndaj mallrave kineze me vlerën e 200 miliardë dollarëve nga 10, në 25 për qind, në se nuk arrihet një marrëveshje tregtare mes të dy vendeve.
Ndërsa nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare me palëve, zoti Trump pati thënë se do ta shtynte afatin për hyrjen në fuqi të tarifave, në se bisedimet do të ishin pranë një marrëveshjeje.
Presidenti amerikan nuk dha hollësi se sa pranë marrëveshjes janë të dyja palët në bisedime. Por ai shtoi se do të ketë një takim me Presidentin kinez Xi Jinping në shtëpinë e tij të pushimit Mar-a-Lago të Floridës, për “përfundimin e një marrëveshjeje.”
Zyrtarë të lartë amerikanë dhe kinezë kanë mbajtur disa seanca bisedimesh tragtare në Pekin dhe në Uashington, që nga koha kur presidentët Trump dhe Xi deklaruan një pushim 90-ditor në luftën e tyre tregtare, për t’i lënë kohë arritjes së një marrëveshjeje gjatë kësaj periudhe.
Prej kohësh, Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Kinën për praktika tregtare të padrejta. Në mesin e tyre janë akuzat për vjedhje të pronës intelektuale dhe kërkesat që firmat amerikane të bëjnë të njohura sekrete tregtare, në se duan të zhvillojnë biznes me Kinën.
Kina i ka mohuar këto akuza dhe thotë se Shtetet e Bashkuara janë fajtore për shkelje tregtare, që synojnë të pengojnë zhvillimin ekonomik të Kinës.