Tregjet e aksioneve në Evropë dhe Azi shënojnë rënie
Londër, 18 maj - Tregjet e aksioneve në Evropë dhe Azi ranë një ditë pasi tregjet amerikane, dollari dhe bondet e qeverisë amerikane pësuan rënie mes shqetësimit të investitorëve rreth veprimeve të debatueshme dhe komenteve të presidentit Donald Trump.
Indekset e bursave kryesore amerikane ranë 1.8 përqind ose më shumë të mërkurën, ndërsa Dow Jones ra me 372 pikë.
Lëkundja e tregjeve filloi pas shkarkimit të drejtorit të FBI-së nga zoti Trump, raportimet për ndarjen e sekreteve me zyrtarë të lartë rusë dhe akuzave se presidenti mund të jetë përpjekur të pengojë një hetim lidhur me veprimet e këshilltari të tij për sigurinë kombëtare që u shkarkua.
Vlera e dollarit u shtua dhe tregjet e askioneve ishin rritur në nivele rekord pas zgjedhjes së presidentit Trump, ndërsa investitorët kishin besim se premtimet e tij për shkurtimin e taksave dhe regulloreve do të nxisnin rritjen ekonomike dhe fitimet e korporatave.
Investitorët mund të kenë dyshime tani, pas përpjekjeve legjislative për të zëvendësuar planin e bllokuar të kujdesit shëndetësor dhe ndërsa plani për shkurtimin e taksave ka sjellë grindje politike.
Edhe aleatë republikanë të Trump thonë se thirrjet për hetime mbi veprimet e administratës po tërheqin vëmendje dhe po sjellin shqetësime për ligjvënësit që përpiqen të çojnë përpara planin e tij që kundërshtohet nga demokratët.