24 Dhjetor 2024

Tre vitet e fundit 1.500 biznese greke kanë emigruar jashtë

Athinë, 30 tetor - Sipas një studimi të Konfederatës Kombëtare të Tregtisë Greke vetëm tre vitet e fundit nga rajonet kryesisht të Greqisë së Veriut kanë emigruar për në vendet fqinje rreth 1.500 biznese të vogla e të mesme.

Përfaqësues nga 25 biznese të mëdha të Selanikut, por edhe konsulentë pune nga 7 vende evropiane, midis tyre edhe Gjermania, në forumin e dytë të punës, të mbajtur në këtë qytet fundjavën e 22-23 tetorit, mblodhën rreth 6.000 aplikime për punë: Ishin të rinj të moshave 20-40 vjeç që do të preferonin të mbeten në vendin e tyre për punë, por kriza u “tregon” rrugën e emigrimit.

Tabloja bëhet akoma më e zymtë nga fakti se rrugën e emigrimit e marrin edhe vetë bizneset, kryesisht të mesme dhe të vogla drejt vendeve fqinje ballkanike.

“Janë biznese me produkte të punës intensive, që nuk mund të rezistojnë më në Greqi për shkak të kostos dhe emigrojnë. P.sh. industria tekstile emigron jo vetëm tani, por edhe vite më parë, drejt vendeve ballkanike” i thotë DW presidenti i Unionit të Industrialistëve të Greqisë së Veriut, Nikollas Pencos.

Sipas tij ethet e emigrimit kanë kapur kryesisht bizneset e vogla dhe jo aq ato të mesme dhe të mëdha, që kryesisht kufizohen vetëm me hapjen e filialeve të tyre në vendet fqinje.

“Ajo që po ndodh është se shumë biznese ngrenë filialet e tyre jo aq për t’u transferuar plotësisht, por për tu mbështetur në një model zhvillimi në kushtet e hapjes dhe globalizimit të ekonomisë”, shton Pencos duke e parë këtë nga këndvëshrimi i afarizmit si një “gjë të shëndetshme edhe pozitive”.

Për ekonominë në tërësi ndërkohë shifrat insistojnë të flasin për një “fluks emigrimi” biznesesh drejt vendeve fqinje. Një fluks me “hemoragji” të madhe për ekonominë, pasi edhe fitimet vështirë se riatdhesohen, kur taksohen me 5 %.

Sipas të dhënave të fundit të Konfederatës Kombëtare të Tregtisë Greke trevjeçarin e fundit rreth 1.500 biznese modifikimi dhe shërbimesh kanë emigruar tërësisht në vendet fqinje. Ky numër pritet të rritet më tepër dy vitet e ardhshme, pasi 7 në çdo 10 biznese, që aktivizohen në Greqi, kanë probleme likuiditeti, 5 në çdo 10 biznese kanë probleme menaxhimi, kurse 2 në çdo 10 biznese kanë ulur qepenat.

Koefiçenti i lartë fiskal ndërkohë paralelisht me uljen e aftësisë blerëse për shkak të krizës së dyfishtë, financiare dhe të borxhit, i bën bizneset e sprovuara ta shohin mjedisin afarist të vendeve fqinje jo thjesht atraktiv, por si një Eldorado.

“Veçanërisht në Bullgari sot, në qoftë se dikush dëshiron të ngrejë një biznes e bën me një euro dhe brenda tri ditësh, sipas ligjit të vitit 2000”, i thotë DW Stavros Ximas, publiçisti i njohur grek, që e ka shkelur “me pëllëmbë” Ballkanin gjithë këto vite të tranzicionit.

Bizneset e mesme dhe kryesisht të vogla, sipas tij, shkojnë në radhë të parë në Bullgari, FYROM, por dhe në Rumani dhe Serbi.

“Disa edhe në Shqipëri, por janë shumë më pak. Kryesisht për shkak të klimës jo dhe aq të mirë në marrëdhëniet greko-shqiptare, por edhe të një opinioni të përgjithësuar, që për mendimin tim është i gabuar, se ekziston korrupsion i madh, me gjoja bakshishin, që duhet të paguajnë për të venë këmbën e tyre dhe për tu aktivizuar energjikisht në vend”, vëren publiçisti grek, i cili e shikon si të natyrshëm një kahje të tillë të kapitalit grek edhe në kulmin e krizës.

“Nuk duhet të harrojmë se synimi i një biznesi është fitimi dhe do ta kërkojë aty, ku ekzistojnë kushtet më të favorshme”. Pör shembull në Bullgari paga e punëtorit të pakualifikuar fillon nga 120 euro dhe koefiçenti fiskak është 10%, kur në Greqi është i dyfishtë.

Eksponentë të tregut vlerësojnë se vitin e ardhshëm në Bullgari do të numërohen rreth 3.000 biznese të interesave greke me investime kapitalesh, që do të arrijnë në 3 miliardë euro. Nga viti 2009 në Rumani janë ngritur 200 biznese greke me 500 milionë euro kapitale të investuara, në Serbi 450 biznese me 2.2 miliardë euro, në FYROM 280 biznese me 1 miliardë euro dhe në Shqipëri janë hapur rreth 10.000 vende pune.

Greqisë së zhytur në krizë i duhet të frenojë këtë “fluks emigrimi” edhe për faktin e thjeshtë, siç e shtroi nënkancelari gjerman Filip Resler, se “para se të kërkohen investime të huaja duhet të investojnë në radhë të parë në vend biznesmenët grekë”. Por kjo nuk mund të arrihet me apele patriotike.

“Në qoftë se nesër ndryshojnë shpejt disa gjëra dhe krijohet një përspektivë më e mirë zhvillimi, nuk do të largohet asnjë”, thekson kryeindrustrialisti grek Nikollaos Pencos dhe kërkon nga qeveria dy gjëra, që fillimisht bizneset të mbijetojnë dhe pastaj të zhvillohen:

“E para është përforcimi i likuiditetit në treg megjithë problemet, që kanë bankat dhe nga qethja e borxhit, dhe e dyta të subvencionohen kontribucionet e punëdhënësve, pra të subvencionohet puna dhe jo papunësia, si masa më efektive e forcimit të kompetivitetit të ekonomisë”.

Pencos në vend të krijimit të “zonave të veçanta”, që u filtruan si “ballkanizim” i ekonomisë dhe ngjallën reaksion të madh, preferon kthimin e gjithë vendit në një “mjedis afarist kompetitiv me koefiçent më të ulët fiskal por edhe kuadrin e duhur ligjor”.

Vetëm që kompetiviteti për analistin grek të çështjeve ekonomike Panajotis Ifantis nuk mund të arrihet me ulje të pagave, që ul konsumin dhe çon në asfiksi ekonominë, siç ndodh me memorandumin e troikës.

“Në qoftë se një shtet sot si Greqia do të mund të ofronte një status fiskal të qëndrueshëm dhe procedura të shpejta investimesh do të ishte një stimul shumë më i fuqishëm se ulja e pagave, që në një studim komunitar për kompetivitetin ishte faktori i 17-të dhe paraprinin faktorë të tjerë si rendi fiskal, burokracia dhe novacioni.”

Në këto kushte frenimi i emigrimit nuk është i lehtë, për të cilin Ximas thotë se “do të kalojnë pesë, ose dhjetë vjet dhe pas vendimesh të dhimbshme riorientimi të ekonomisë”. Deri atëherë duhet pajtuar me këtë fenomen, që tek e fundit i rikthen rajonit kulturën historike të bashkëpunimit ekonomik, kur “banorët e Selanikut shkonin në Korçë dhe jo në Athinë për të bërë pazarin dhe gjirokastritët, siç thoshin, për një kafe në Janinë.”

 “Në një farë mënyre rikthehen ekuilibrat ekonomikë të kohës së perandorisë otomane, me një mënyrë tjetër sigurisht”, sikundër thotë publiçisti grek Stavros Ximas.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)