20 Prill 2025

Top importuesi i prodhimeve serbe, zv.kryeministër i Kosovës

Prishtinë, 29 tetor - Ndryshimi i bërë në Qeveri nga kryeministri Isa Mustafa, duke e emëruar zv.kryeministër afaristin Ramiz Kelmendi, pronar i Kompanisë \'ETC\', për analistët e ekonomisë dhe njohësit e kësaj fushe nuk pritet se do të japë efekte për ekonominë e brishtë të Kosovës.

Analistët e kësaj fushe janë të mendimit se me Ramiz Kelmendin zëvendëskryeministër Qeveria e Kosovës në asnjë mënyrë nuk do të arrijë që të ulë deficitin tregtar me Serbinë dhe me shtetet e tjera fqinje.

Analistët habiten si mundet që Kelmendi, që tërë jetën u mor, sipas tyre, me tregti dhe kontrabandë të mallrave nga Serbia dhe duke marrë përfaqësinë e shumicës së produkteve të tyre ushqimore në Kosovë, si dhe faktit që edhe si ekonomist nuk është në ndonjë nivel të lartë, të jetë zëvendëskryeministër i vendit, i ngarkuar për çështje ekonomike, shkruan gazeta Kosova Sot.

Koha e matrapazëve

Analisti i ekonomisë, Nehat Emrullahu, tha se deficitin tregtar me Serbinë pa dyshim e kanë bërë tregtarët matrapazë.

\"Këta matrapazë tregtarë shpesh sjellin produkte me afat para skadimit që sigurisht i marrin me gjysmë çmimi dhe i shesin si produkte të freskëta, besa edhe me çmime të majme.\"

\"Se janë 60 për qind e qytetarëve me të ardhura minimale dhe 20 për qind në varfëri të skajshme asnjëherë nuk mund të jenë fajtorë për blerje të produkteve komerciale serbe, përkundrazi këta janë pikërisht ata që detyrohen të blejnë produktet e ofruara, duke rrezikuar edhe shëndetin e familjes\".

Emrullahu vlerëson se Ramiz Kelmendi, tani zëvendëskryeministër, me shumë ngjan me një aventurier politik dhe ekonomik.

\"Ndërrimi i partive politike në kërkim të postit e bën aventurier politik. Përfaqësimi ekskluziv i kompanive serbe dhe furnizimi me mallra në sasi e bëjnë aventurier ekonomik\".

Emrullahu tha se lëvizja e lirë e qytetarëve dhe lëvizja e lirë e mallrave janë detyrim sipas marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara në forma të ndryshme, mirëpo një pretendues për post politik të krijojë deficit ekonomik nuk pranohet.

Ai thotë se përfaqë- suesit politikë duhet të përfaqësojnë interesat qytetare dhe me këtë pa pretendime për dominim.

\"Duhet të paktën të krijojnë një balancë politike, pra edhe ekonomike në mes të shteteve, në veçanti në raport me shtetin e Serbisë\". Ndaj, sipas Emrullahut, zëvendëskryeministri i LDK-së nuk është i denjë për këtë detyrë.

Këmbëngulja e tregtarit për një post qeveritar

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se ardhja e Ramiz Kelmendit në këtë post në asnjë mënyrë nuk do ta ndryshojë bilancin e këmbimeve ekonomike me vendet e tjera, e posaçërisht ato me Serbinë, dhe nuk do ta ndryshojë rritjen ekonomike e as ato të sektorëve të ndryshëm ekonomikë.

Shahini e përsërit edhe një herë se edhe me emërimin e Ramiz Kelmendit në këtë post ka frikën se deficitet tregtare në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do të ndalen.

\"Në politikë emërohen jogjithmonë njerëzit e suksesshëm nëpër postet e duhura, duke u bazuar në formulën e njohur se njerëzit e duhur duhet që të jenë në vendin e duhur, sepse në Kosovë që nga paslufta e këtej ne kemi parë një vazhdimësi në shumicën e rasteve që nëpër poste ekzekutivi janë paraqitur ata të dëgjueshmit e politikës\", ka thënë ai.

Shahini tha se gjithmonë liderët politikë kanë konsideruar se ata dinë boll dhe nuk kanë nevojë për ekspertë dhe nuk kanë nevojë për njerëz, që mendojnë ndryshe.\"

Dhe kjo na ka sjellë në një situatë tepër të rëndë të zhvillimit ekonomik të vendit dhe zhvillimeve politike, që kohëve të fundit thuaja se janë izoluese\", theksoi ai.

\"Asnjëherë ne nuk e dimë se cilat janë qëllimet e personave që kalojnë nga një parti në tjetrën dhe kështu e kanë laramanitë jetën politike dhe përse bënë gjithë këto lëvizje. Dhe, kohëve të fundit një deputet i një partie (Kelmendi), vazhdimisht ka kërkuar poste në ekzekutiv, që të jetë ndonjë ministër apo zëvendëskryeministër për çështje ekonomike, duke na premtuar neve se mundemi që ta rrisim ekonominë e vendit, apo siç ka arritur që ta rrisë kompaninë e vet\", ka theksuar i pari i AKB-së.

/Kosova Sot/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)